Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino, bën të ditur se janë siguruar 100 mijë testet e para të shpejta.
Në një intervistë në media, Bino siguroi për saktësinë e këtyre testeve, teksa shpjegoi se ato do të kryhen në pika të caktura nga epidemiologët e terrenit, shkruan atsh, përcjell Albinfo.ch.
“Janë rreth 100 mijë teste të shpejta që janë siguruar për momentin. Puna ka filluar nga shërbimet e epidemiologjisë së Tiranës, deri në datën 20 dhjetor do të kthyhet shpërndarja në të gjitha njësitë vendore të kujdesit shëndetësor për hetimin epidemiologjik. Pas kësaj date do të kenë funksionin e tyre në shërbim të diagonozës pranë qendrave të kundesit shëndetësor parësor sipas pikave të caktuara. Janë tepër specifike, janë shumë të sakta. S’ke nevojë të testohesh sërish, nëse je pozitiv, je pozitiv. Do jenë pika të caktuara që do ta kryejnë testimin brenda qendrave shëndetësore, për ta koordinuar më mirë”, tha Bino.
Bino ka theksuar se Shqipëria do ta marrë në kohë vaksinën anti-COVID dhe qytetarët do ta përfitojnë atë falas.
Sipas Binos, Shqipëria ka një sistem kapilar vaksinimi dhe nëpërmjet qendrave shëndetësore dhe mjekut të familjes do të organizohet edhe vaksinimi. Për personelin shëndetësor, theksoi ajo, vaksinimi do të organizohet në vendin e punës.
Nëse do të marrim vaksinën e Pfizer, tha Bino, do të duhet të ndërtohen kapacitetet.
“Shqipëria ka një plan konkret vaksinimi dhe do ta ketë vaksinën kur ta kenë edhe vendet e tjera. Ka skenarë të parapërgatitur, ka zinxhirin ftohës që edhe do të përmirësohet. Shqipëria ka një strategji kombëtare për vaksinimin. SHBA ende s’ka filluar vaksinimin dhe Shqipëria do ta fillojë vaksinimin sapo të vijë. Duhet të plotësohen disa kushte të sigurisë së vaksinave”, tha Bino.