Komuna e Malishevës këtë të enjte i ka shpërndarë 60 spërkatëse 400 litërshe, për 60 bujq të kësaj komune.
Sipas një njoftimi të komunës së Malishevës ky subvencion është në kuadër të shpalljes publike të Drejtorisë për Bujqësi dhe Blegtori, për subvencionimin e femerëve dhe krahas shpërndarjeve të mekanizimit tjetër bujqësor, janë shpërndarë edhe këto spërkatëse montuese 400 litërshe.
Ky projekt i subvencionimit të bujqve sipas komunës së Malishevës është rreth 33 mijë euro, ndërsa përfitues janë 60 bujq, të cilët kanë participuar me 30 për qind të shumës, ndërsa komuna me 70 për qind.
“Ky nuk është projekti i fundit, por është në kuadër të përkrahjes së vazhdueshme në sektorin e bujqësisë për bujqit e komunës sonë, pasi paraprakisht kemi shpërndarë motokultivator, tani spërkatëse montuese 400 litërshe, e më pas edhe makina mjelëse dhe shpërndarëse të plehut kimik”, ka thënë drejtori i Drejtorisë për Bujqësi, Blegtori, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Murat Hoxha me këtë rast.