Gjykata Themelore në Prizren e ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje 30 ditë për të dyshuarit S.M, A.B, V.F dhe F.F, të dyshuar për kontrabandim me migrantë.
Kjo gjykatë ka vlerësuar se ekzistojnë arsye ligjore për caktimin e kësaj mase të paraburgimit.
“Se të pandehurit S.M., A.B., V.F., dhe F.F., në bashkëkryerje, merren me kontrabandim të migrantëve me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejt ose të tërthortë të dobisë financiare ose të dobisë tjetër pasurore nga hyrja e paligjshme e personave në Republikën e Kosovës, të cilët nuk janë shtetas të Republikës së Kosovës, në atë mënyrë që me datë 16 korrik jashtë vendkalimit zyrtar kufitar shtetëror Shqipëri-Kosovë, në afërsi të fshatit Vërmicë, kanë futur në territorin e Republikës së Kosovës 11 (njëmbëdhjetë) shtetas të Sirisë, të cilët me një automjet të cilën e ka drejtuar i pandehuri S.M., i kanë sjellë deri në shtëpinë e të pandehurit A.B., në Suharekë, në mënyrë që më vonë me kompensim financiar të i transportojnë deri në Mitrovicë afër kufirit, me qëllim të kalimit të tyre ilegalisht në territorin e Republikës së Serbisë”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Tutje, në njoftimin e tyre thuhet se me rastin e caktimit të paraburgimit, gjykata ka marrë parasysh natyrën e rëndë të veprës penale për të cilën dyshohen të pandehurit, si dhe faktin se procedura ështënë fazën fillestare dhe në vazhdim duhet të dëgjohen të gjithë të dëmtuarit në cilësi të dëshmitarit, dhe të mblidhen edhe prova tjera për zbardhjen e kësaj çështje penale.