Gjykata Themelore në Prizren në një komunikatë për media ka njoftuar se, Departamenti i Krimeve të Rënda, gjyqtarja e procedurës – Raima Elezi, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 16.07.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 16.08.2021, ndaj të pandehurit P.M., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja ose shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 267 par. 1 dhe lidhur me nenin 31 të KPRK-s
Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit P.M., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar:
– Se pa autorizim ka poseduar me qëllim të shitjes apo shpërndarjes ose ofrimit për shitje substancë apo preparate të cilat janë shpallur me Ligj si narkotikë, në atë mënyrë që me datë 16 korrik, në orët e mesnatës i pandehuri P.M., (me të bashkëpandehurin i cili është në arrati), ishin duke përgatitur – ndarë nëpër qese plastike sasinë e substancës së dyshuar narkotike të llojit “Kokainë”, me qëllim që të njëjtën pastaj ta shesin nëpër qytet, dhe pas arrestimit të të pandehurit gjatë kontrollit në banesë dhe objekte përcjellëse janë gjetur;
-një qese plastike ngjyrë e bardhë ku brenda saj ishin 43 qese plastike të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit “Kokainë”, në peshë prej 57.40 gr:
-dy peshore elektronike me mbishkrimet “Digital Pocket Scale”, “Muhler” dhe një peshore elektronike në formë të çelësit,
-njëmbëdhjetë qese plastike me substancë të dyshuar për narkotik të llojit “Kokainë”, në peshë prej 5.44 gr,
-në një kuti metalike kishte të fshehur substancën e dyshuar narkotike e llojit “Kokainë”, në peshë prej 50.49 gr
Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Me rastin e caktimit të paraburgimit, gjykata ka marrë parasysh faktin se me qëndrimin në liri të të pandehurit P.M., i njëjti mund të arratisej sepse gjatë arrestimit të të njëjtit nga policia, i njëjti ka tentuar të ik nga vendi i ngjarjes, gjithashtu me rastin e caktimit të paraburgimit Gjykata ka marrë parasysh edhe faktin se i pandehuri P.M., ka qenë i dënuar nga kjo gjykatë pikërisht për vepër penale të kësaj natyre.
Nga të lartë cekurat gjyqtarja e procedurës ka vlerësuar se caktimi i paraburgimit për të pandehurin është më se i domosdoshëm dhe i arsyeshëm për shkak të mbarëvajtjes së procedurës së rregullt të procedurës penale – hetimore.
Shënim: Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij, thuhet në njoftim/