Gjykata Speciale ka vendosur që nga 15 korriku t’i lejojë të afërmit e të akuzuarve t’i vizitojnë familjarët e tyre që po mbahen në paraburgim në Hagë.
Specialja ka vendosur një rregullore strikte për vizitorët në burgun e Speciales, ku i kushton kujdes të veçantë vizitave të familjarëve.
Takimet personale ndërmjet të paraburgosurit dhe bashkëshortes/bashkëshortit dhe fëmijëve të të paraburgosurve realizohen në një vend të përshtatshëm brenda objektit të paraburgimit ku lejohet kontakt fizik. Ambienti është jashtë rrezes së shikimit dhe dëgjimit të oficerëve të paraburgimit.
Sipas rregullores, orari i vizitave mund të ndryshojë në rast se të paraburgosurit apo vizitorit nuk i përshtatet.
Çdo send i marrë nga jashtë objektit të paraburgimit, përfshirë çdo send të sjellë nga një vizitor, i nënshtrohet kontrolleve të sigurisë së objektit të paraburgimit dhe, sipas rastit, mund të kontrollohet me përdorimin e aparateve me rreze Rëntgen dhe të pajisjeve të tjera kontrolluese.
I kontaktuar nga lajmi.net, djali i kryetarit të OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, Musliu, ka treguar se çfarë dinë deri më tani familjarët për vizitat që do t’i bëjnë në Speciale.
“Kanë thënë që kemi të drejtë vetëm familja e ngushtë me shku me i vizitu pas datës 15 korrik. Tash janë kërkesat në procedurë e sipër dhe pas përfundimit të kërkesave, dikush nga familja e ngushtë shkon edhe e viziton prindin”, deklaroi ai.
Sa i përket numrit të personave që lejohen në vizitë, Gucati tha se kushdo që dëshiron nga familja e ngushtë, qoftë fëmijët ose bashkëshortja, munden me shku me vizitu.
Lidhur me shpenzimet, ai tha se me të gjitha këto procedura po merret Ministria e Drejtësisë, e cila kryen edhe pagesat.
“Ministria e Drejtësisë po merret me këtë çështje. E kanë ngarku Ministrinë e Drejtësisë, kështu që janë ata që merren me këtë punë. Në kuadër të ministrisë kryhen të gjitha pagesat prej Qeverisë”, u shpreh Gucati.
Musliu tha se Specialja përmes avokatëve i ka njoftuar ata lidhur me detajet rreth vizitave, ndërsa presin që do t’i njoftojnë pas 15 korrikut lidhur me datën se kur do të udhëtojnë në Hagë.
“Specialja na ka njoftu me mënyrat se qysh kemi me i vizitu, i kanë njoftu avokatët e palës mbrojtëse dhe ata na tregojnë për çdo gjë se qysh e tek bëhen vizitat, në çfarë forme. Prej 15 korrikut mundemi me shku, por tash varet data kur e caktojnë”, përfundoi Gucati.