Në një ceremoni të pranim-dorëzimit të çelësave në vitin 2014, gjashtëmbëdhjetë familje të dëshmorëve ishin bërë pronarë të banesave fiktive nga Komuna e Prizrenit.
Armend Ponik, djali i dëshmorit Asret Ponik, në një intervistë për KALLXO.com ka treguar rreth përpjekjeve për të marrë atë që iu takon.
“Qeto 16 familje e kemi pas fatin me tërheq shortin dhe banesat me na ra në qytet, i kemi marrë banesat me kontratë me krejt edhe po shkojmë me këqyrë ku është banesa, kur po shkojmë në vend të ngjarjes ajo ishte vetëm një përdhesë dhe është një gropë e madhe që sot e asaj dite hala është gropa aty”, ka thënë Ponik.
Familja e dëshmorit Ponik pretendon se banesa përveç se nuk i është ndarë ajo është shitur.
“Jena tri raste që pronari i banesave i ka shit me arsyetimin ‘se kemi gabuar inxhinieri për ndarjen e metër katrorit’, komuna na ka dhanë me metër katror të vogël”, ka thënë ai.
Ponik thotë se kanë bërë një sërë kërkesash e ankesash në komunë për zgjidhjen e problemit, por deri më tash ende nuk kanë marrë përgjigje pozitive.
“Ne i kemi të gjitha kontratat e nënshkruara nga ish zyrtarët që kanë qenë në 2014-ën, e kemi edhe vërtetimin e Drejtorisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale që këto banesat na takojnë në bazë të asamblesë ku është votu”, ka shtuar më tej ai.
Edhe Brahim Morina, vëllai i dëshmorit Fadil Morina, ka treguar për KALLXO.com se asnjëherë nuk kishin marrë ndonjë përgjigje në lidhje me banesat që i kishin përfituar.
Madje, ai thotë se ishin përdorur nga pushteti lokal për përfitimin e votave.
“Që nga viti 2014 banesa na është nda në komunë, por ende janë në këtë gropë me siguri sepse po na endin anej-knej dhe me siguri vetëm iluzione kemi”, tha ai.
“Kërkesa kemi bërë disa herë, pandashëm, por vetëm fjalë boshe dhe vetëm na kanë keqpërdor si familjarë të dëshmorëve për kur atyre iu është dashtë, vota ose diçka tjetër, neve na kanë përmend nëpër vende ku ndoshta nuk është vendi t’i përmendin dëshmorët sepse kanë dhanë jetën për këtë dhe e për këtë tokë”, ka thënë Morina.
Në anën nga Komuna e Prizrenit thonë që investitori nuk ka përmbushur marrëveshjen.
Drejtori komunal për Punë dhe Mirëqenie Sociale në komunën e Prizrenit, Islam Thaqi ka thënë se së shpejti do të dorëzojnë padi ndaj investitorit, pasi nuk i ka përmbushur obligimet.
“Obligimet që i ka marrë nga marrëveshja janë 14 banesa për familjet skamnore, në këtë rast janë familje të dëshmorëve që janë banesa fiktive që nuk ekzistojnë për shkak se pronari i ka shitur ato dhe çdo ditë ballafaqohemi. Ne jemi në përgatitje e sipër dhe shumë shpejt do ta bëjmë një padi ndaj investitorit për mospërmbushjen e obligimeve”, ka thënë Thaqi.
Më tej ai ka shtuar se padia do të bëhet ndaj dy investitorëve, sepse është ndërruar posedimi i pronës prej kohës kur këto banesa janë shpërndarë.
KALLXO.com ka tentuar të marrë edhe anën e investitorit ‘Drini Company’ në lidhje me këto pretendime, por të njëjtit nuk kanë pranuar të flasin.
Komuna e Prizrenit në kohën e qeverisjes së Ramadan Mujës së PDK-së, kishte arritur marrëveshje mbi partneritetin publiko-privat për shfrytëzimin e pronës së paluajtshme komunale për ndërtimin e objektit në lagjen ‘Jeni Mahalla’.
Sipas kësaj marrëveshjeje investitori ka pasur obligim që të kompensojë banesat për familjet skamnore dhe ato të dëshmorëve.
Me anë të kësaj marrëveshje komunës së Prizrenit do t’i kompensohen 671 metra katrorë, me 14 banesa për familjet e dëshmorëve.