Kanë mbërritur 38.400 dozat e AstraZeneca në Shqipëri. Siç është bërë e ditur nga autoritetet në Tiranë, nesër do të vaksinohen mësuesit, ndërsa Rama tha se mjekët e Kosovës do t’i marrin dozat në Kukës.
“Nesër do të nisim vaksinimin e mësuesve dhe pedagogëve. Do ta shtrijmë me shpejtësi në të gjithë territorin e vendit. Shkollat do të kthehen në pika vaksinimi. Presim së shpejti të vijë një sasi më konsiderueshme. Nga kompania AstraZeneca do të marrim edhe 60 mijë doza të tjera në muajin prill”, njoftoi Rama.
Ai gjithashtu tha se janë gati të organizohen edhe me Kosovën në mënyrë që të nisë sa më parë vaksinimi i stafit shëndetësor.
“Jemi gati nga nesër të organizohemi me Kosovën për t’i dhënë mundësinë mjekëve dhe infermierëve që të vijnë dhe vaksinohen në Kukës. I presim me shumë kënaqësi që nesër dhe do të lidhemi me strukturat përkatëse. Edhe në Kosovë të thyhet kjo pengese e tmerrshme e mungesës së dozës së parë”, u shpreh kryeministri Rama.