Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) këtë të diele do ta mbajë Kuvendin Zgjedhor, ku do të zgjidhet nga delegatët pasardhësi i Isa Mustafës në këtë subjekt politik.
Në garë për ta marrë “timonin” e partisë janë tre kandidatë: Lutfi Haziri, aktualisht kryetar i Gjilanit, Lumir Abdixhiku-ish-ministër i Infrastrukturës dhe Anton Quni, ministër në detyrë i Mbrojtjes.
Por, sa janë të pasur kandidatët për kryetar të LDK-së?
Sipas formularëve të deklarimit të pasurisë më i pasuri prej tyre është Lutfi Haziri, pasuria e së cilit kalon shifrën prej 2.1 milionë euro, raporton portali “Front Online”.
Haziri ka deklaruar patundshmëri në vlerë prej mbi 1.850.000 euro, veturë në vlerë prej 3000 €, 225 mijë euro cash në banka (86 mijë franka prej të cilave janë të prindit të tij), përderisa të hyrat vjetore familjare të Hazirit janë rreth 37 mijë euro.
Kandidati tjetër për kryetar të LDK-së, Lumir Abdixhiku, sa ka qenë ministër i Infrastrukturës në Qeverinë “Kurti”, ka deklaruar patundshmëri në vlerë prej 440 mijë euro, prej të cilave disa i ka trashëgimi, 9400 euro cash në banka komerciale, përderisa të hyrat vjetore familjare i ka deklaruar rreth 40 mijë €, raporton Front Online.
Ndërsa Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni, ka deklaruar patundshmëri në vlerë prej 370 mijë euro, veturë në vlerë prej 11 mijë euro, 9200 euro cash në banka, përderisa të hyrat vjetore familjare në Kosovë dhe jashtë vendit arrijnë në rreth 70 mijë euro./Front Online/