Më 09.01.2026, Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar Ligjin për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor i cili ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës në dhjetor të vitit 2024.
Ky ligj bashkë me mbi 10 ligje të tjera është shfuqizuar me dy aktvendime të Gjykatë Kushtetuese.
Ligji për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga Partia Demokratike e Kosovës me pretendimet për shkelje procedurale në miratimin e tij.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, sot më 30.01.2026, tha se do të procedojnë sërish këtë ligj menjëherë pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
“Aktvendimi ka pas të bëjë me anulim të disa ligjeve për shkaqe administrative sic kanë thënë ata, unë mendoj që ka qenë gabim sipas mendimit tim sepse nuk ka pasur vërejtje për ligjin që e kemi propozu ne. Lajm i keq por menjëherë pas konsituimit të Kuvendit të Kosovës, do të procedojmë me hapa njësor që ta dërgojmë sa më shpejt me këtë ligj që i hap dhe rrugën ligjore formimt të sistemit informativ shëndetësor dhe fondit për sigurime shëndetësore”- tha ai gjatë vizitës në Odën e Mjekëve të Kosovës bashkë me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Qeveria e Kosovës kishte miratuar Ligjin për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor në gusht të vitit 2014.
Në atëkohë, ministri Vitia kishte thënë se “me këtë nismë themelohet edhe Fondi i Sigurimit të detyrueshëm Shëndetësor”.
Pesë muaj pas miratimit nga Qeveria e Kosovës, në dhjetor të 2024-tës në fund të mandatit të Qeverisë Kurti, ishin miratuar një sërë ligjesh.
Fjala është për seancën e 5 dhjetorit 2024, në të cilën numri i madh i ligjeve në orare të ndryshme gjatë ditës- deri në orët e natës.
Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, kishte bërë të ditur se 16 nga ato ligje që kaluan vetëm me votat e Vetëvendosjes, i kanë dërguar në Gjykatë Kushtetuese, pasi sipas tij, në atë seancë, shumica parlamentare ka vepruar në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit.
Seanca e Kuvendit të Kosovës që ishte ndërprerë pas ‘konfrontimit’ mes atëkohë kryeparlamentarit Glauk Konjufca dhe deputetëve të Listës Serbe, vazhdoi në orët e vona të mbrëmjes së 5 dhjetorit 2024 – duke u përmbyllur me miratimin e disa Projektligjeve, të cilat u votuan vetëm nga deputetët e shumicës në Parlament.
Seanca e rregullt plenare kishte nisur punimet nga ora 14:00 dhe në rend dite kishte 27 pika. Por, ajo zgjati deri pak minuta para mesnate, 23:50, pas kërkesës së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje për shmangie të afateve të caktuara, për të miratuar në shqyrtim të dytë një sërë projektligjesh.Në nisje të seancës së mbrëmjes, Konjufca kishte thënë se në rend dite janë projektligje që “nëse nuk kalojnë brenda këtij afati kohor, rrezikohen shumë procese të rëndësishme në Republikën e Kosovës”./Kallxo.com
