Drejtoria e Shëndetësisë në Prizren ka njoftuar se për pacientët që janë në trajtim të rregullt me dializë, ofrohet rregullisht shërbimi i transportit nga vendbanimi i pacientit për në spital dhe anasjelltas.
Sipas njoftimit, ky shërbim ofrohet për të gjithë pacientët me dializë me banim në Prizren dhe fshatrat e Komunës së Prizrenit, dhe zbatohet me qëllim të lehtësimit të qasjes së pacientëve me dializë në trajtimin e domosdoshëm shëndetësor.
DSh ka ftuar të gjithë pacientët që për informata shtesë të drejtohen në Repartin e Dializës në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku do të marrin udhëzimet dhe sqarimet përkatëse.
Drejtoria e Shëndetësisë thekson tutje se mbetet e përkushtuar në ofrimin e shërbimeve shëndetësore cilësore dhe në mbështetjen e vazhdueshme të pacientëve që kanë nevoja të veçanta shëndetësore.
