Policia e Kosovës njofton se gjatë kësaj jave, Sektori i Hetimeve i Stacionit Policor të Suharekës, ka arritur të identifikojë pesë persona të dyshuar për përfshirje në një rast vjedhjeje.
Sipas policisë, ky sukses është rezultat i hetimeve të hollësishme dhe bashkëpunimit të ngushtë me stacionet policore të Obiliqit dhe Fushë-Kosovës.
Siç bën të ditur policia, hetuesit e Suharekës kanë intervistuar të dyshuarin E.B. nga Fushë-Kosova, i cili, në prani të avokatit mbrojtës, e ka pranuar tërësisht rastin.
Gjithashtu, bëhet e ditur se në një rast tjetër të vjedhjes së rëndë, janë identifikuar edhe dy të dyshuar, O.S. dhe A.D., të cilët, pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, kanë pranuar kryerjen e veprës penale.
Ndërkohë, për një rast tjetër të vjedhjes së rëndë, policia thotë se janë identifikuar edhe dy persona të tjerë si të dyshuar, për të cilët dyshohet se kanë kryer këtë vepër penale.
“Policia e Kosovës, po dëshmon se është e vendosur dhe e palëkundur në luftën kundër krimit. Me profesionalizëm dhe përkushtim, hetuesit policor po punojnë pa u lodhur për të identifikuar, lokalizuar dhe arrestuar kryesit e veprave penale – sidomos ata që kryejnë vjedhje dhe vjedhje të rëndë, një sfidë e madhe për rendin dhe sigurinë publike. Policia e Kosovës mbetet e vendosur: krimi nuk ka vend në shoqërinë tonë!” – thuhet në fund të këtij njoftimi.
