Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKShPK) njofton se ka nisur testimin laboratorik QuantiFERON-TB Gold Plus (QFT-Plus), metodë e avancuar për zbulimin e infeksionit me Mycobacterium tuberculosis, i cili shkakton sëmundjen e tuberkolozit.
“QuantiFERON-TB Gold Plus është test diagnostik in vitro, i bazuar në analizën e gjakut, i cili mat përgjigjen imunitare qelizore ndaj Mycobacterium tuberculosis përmes detektimit të gama-interferonit (IFN-γ). Ky test përdoret për identifikimin e infeksionit latent me tuberkuloz, si dhe si ndihmë në vlerësimin diagnostik të rasteve të dyshuara”- shkruan IKShPK.
Ky institucion ka theksuar se testimi kryhet vetëm në laboratorin referent nacional të Tuberkulozës në IKShPK, sipas indikacioneve klinike dhe me referim nga mjeku përkatës dhe se interpretimi i rezultateve bëhet në përputhje me udhëzimet ndërkombëtare dhe gjithmonë në kontekstin klinik të pacientit.
IKShPK bënë të ditur tutje se mbetet e përkushtuar në përmirësimin e shërbimeve laboratorike dhe forcimin e kapaciteteve diagnostike për parandalimin dhe kontrollin e tuberkulozit në Kosovë.
