Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, zhvilloi një takim konstruktiv me Hubert Perr, shef i sapo emëruar i Bashkëpunimit në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, i shoqëruar nga ekipi i tij.
Sipas njoftimit të BQK, guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen e tij të sinqertë ndaj Perr dhe Zyrës së Bashkimit Evropian për mbështetjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin e shkëlqyer. Siç thuhet në njoftim, ai gjithashtu vlerësoi partneritetin e fuqishëm që BQK gëzon me Bankën Qendrore Evropiane (BQE) dhe me drejtoritë e ndryshme të Komisionit Evropian, duke theksuar se bashkëpunimi me institucionet e BE së luan një rol kyç në avancimin e agjendës reformuese të BQK së dhe në mbështetjen e zhvillimit të sektorit financiar të Kosovës.
Gjatë takimit, thuhet se guvernatori Ismaili prezantoi një pasqyrë të plotë të aktiviteteve dhe reformave në vazhdim të BQK së, të orientuara drejt përafrimit të mëtejmë me legjislacionin dhe praktikat më të mira të Bashkimit Evropian. Ai informoi Perr për progresin e arritur drejt integrimit të Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), pavarësisht sfidave të reja ligjore, duke theksuar se ky proces do të rrisë ndjeshëm efikasitetin e sistemeve të pagesave dhe do të sigurojë përputhshmëri të plotë me standardet e BE së. Po ashtu, ai theksoi përpjekjet e shtuara të BQK së në avancimin e legjislacionit, reformave mbikëqyrëse, forcimin e sovranitetit financiar dhe monetar, si dhe në luftimin e falsifikimit të monedhës euro.
BQK njofton se guvernatori Ismaili nënvizoi interesimin dhe rolin aktiv të BQK-së në kuadër të Planit të Rritjes së BE së, duke theksuar se institucioni vazhdon të kontribuojë në komponentët kyç të sektorit financiar që mbështesin zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Kosovës, në varësi të miratimit parlamentar.
Po ashtu, siç bën të ditur BQK, ai ofroi përditësime mbi zhvillimet legjislative, përfshirë Ligjin e ri për Bankat, nevojën për rishqyrtimin e Ligjit për Shërbimet e Pagesave, si dhe miratimin e Ligjit të përditësuar për Parandalimin e Pastrimit të Parave (AML).
“Këto iniciativa synojnë përafrimin e mëtejmë të kornizës rregullative të Kosovës me direktivat dhe pritjet mbikëqyrëse të Bashkimit Evropian. Diskutimi përfshiu gjithashtu punën e vazhdueshme të BQK së lidhur me rregullimin dhe monitorimin e kripto-aseteve, në përputhje me qasjet evropiane në zhvillim në këtë fushë dinamike. Takimi theksoi gjithashtu mundësitë për thellimin e bashkëpunimit përmes programit TAIEX, veçanërisht në forcimin e ekspertizës teknike, kapaciteteve mbikëqyrëse dhe harmonizimit rregullativ” – thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, guvernatori Ismaili dhe Perr diskutuan gjithashtu bashkëpunimin e ngushtë të BQK-së me Komisionin Evropian dhe shërbimet e tij, si dhe me Bankën Qendrore Evropiane (BQE), duke vlerësuar se këto partneritete janë thelbësore për forcimin e stabilitetit financiar, mbikëqyrjen efektive dhe përafrimin rregullativ. Në këtë kontekst, thuhet se guvernatori Ismaili dhe Perr theksuan arritjen e rëndësishme të realizuar gjatë vitit të kaluar në luftën kundër falsifikimit të euros, në kuadër të projektit TAIEX, përmes përgatitjes së bazës ligjore dhe institucionale.
Gjithashtu, bëhet e ditur se guvernatori Ismaili e informoi Perr edhe për aktivitetet e BQK-së lidhur me Sistemin e Kartonit të Gjelbër, duke theksuar rolin e tij të vazhdueshëm në mbështetjen e mbulimit ndërkombëtar të sigurimeve dhe lëvizshmërisë ndërkufitare. Ai nënvizoi rëndësinë e gjetjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme në këtë drejtim, për shkak të kontributit të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik, integrimin financiar dhe bashkëpunimin rajonal.
“Z. Perr mirëpriti progresin e prezantuar dhe rikonfirmoi përkushtimin e Bashkimit Evropian për të mbështetur reformat institucionale të Kosovës përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm, asistencës teknike dhe përafrimit me standardet evropiane, duke vlerësuar BQK në si një partner shumë të angazhuar dhe të çmuar. Në përfundim të takimit, të dyja palët rikonfirmuan përkushtimin e tyre për thellimin e bashkëpunimit dhe avancimin e rrugës së Kosovës drejt përafrimit rregullativ, mbikëqyrës dhe operacional me Bashkimin Evropian” – thuhet në njoftim.
