Organizata ‘Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve’ në Kosovë (VoRAE) ka hapur thirrjen për programin “Mbështetje plotësuese për studime akademike” për donacione të pajisjeve teknologjike me synim të ofrimit të mjeteve konkrete për studentët nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë.
Sipas kësaj organizate mungesa e pajisjeve teknologjike vazhdon të jetë një nga pengesat kryesore për arsimimin e të rinjve nga këto komunitete.
“Për shumë studentë ambiciozë, një lap-top apo kompjuter nuk është luks, por mjeti bazik që ua mundëson vijimin e studimeve dhe qasjen në botën digjitale”- thuhet në njoftimin e VoRAE.
Përmes programit “Mbështetje plotësuese për studime akademike”, organizata ofron mentorim, tutorim, trajnime digjitale dhe udhëzime për karrierën e studentëve nga komunitetet.
Tutje, organizata bëri të ditur se pajisjet që mund të ofrohen janë lap-topët si paisje prioritare, kompjuterë desktop ose monitor si dhe tableta.
“Pajisjet mund të jenë të reja ose të përdorura, përderisa janë funksionale. Organizata kujdeset për kontrollin teknik, regjistrimin dhe shpërndarjen transparente të tyre te studentët në nevojë”– thuhet në thirrjen e organizatës.
Ndërsa të gjithë personat e interesuar për të kontribuuar mund të kontaktojnë në email-adresat e organizatës: [email protected] dhe [email protected].
Për më shumë informacione rreth programit klikoni këtu.

