Ndërmarrja Publike “Eko Regjioni” në Prizren njofton opinionin publik se janë të pavërteta pretendimet se Kryeshefi Ekzekutiv i ndërmarrjes, Burim Shala, ndodhet në arrati.
Sqarojmë se z. Shala që nga dita e shtunë ndodhet në Itali, për arsye thjesht dhe saktësisht familjare. Kjo vizitë ka qenë e ditur paraprakisht dhe nuk ka asnjë lidhje me shmangien nga përgjegjësia apo nga organet e drejtësisë. Po ashtu, z. Shala pritet të kthehet në vend brenda kësaj jave.
“Theksojmë qartë se z. Shala në asnjë rrethanë nuk i shmanget përgjegjësisë apo drejtësisë”, thuhet në reagimin e ndërmarrjes “Eko Regjioni”.
“Eko Regjioni” shpreh besimin e plotë në organet e drejtësisë dhe vlerëson se ato janë duke e kryer punën e tyre në mënyrë profesionale, të pavarur dhe në përputhje me ligjin.
Në fund, ftojmë opinionin publik dhe mediat që të përmbahen nga dezinformatat dhe spekulimet e pabazuara, duke respektuar parimin e prezumimit të pafajësisë.
