- Reklama -

Joseph: Kosova në Bordin e Paqes, hap i rëndësishëm për të forcuar aleancën me SHBA-në

Imazhi i presidentes Osmani duke duartrokitur krah Trumpit në Bordin e Paqes është një sukses për Kosovën, e cila sipas profesorit Edward P. Joseph, përmes këtij anëtarësimi po arrin të forcojë marrëdhënien me SHBA-në.

Anëtarësimi i Kosovës në “Bordin e Paqes për Gazën” është sukses diplomatik dhe një shenjë e forcimit të marrëdhënies me Administratën Trump, vlerëson Edward P. Joseph, ligjërues dhe studiues i lartë në Universitetin Johns Hopkins SAIS, në Uashington, D.C.

- Reklama -

Madje, Joseph vlerëson se implikimi më i rëndësishëm për Ballkanin nga ky Bord është fakti se Kosova u ftua t’i bashkohet atij.

“Imazhi i Presidentes Osmani duke duartrokitur ndërsa presidenti amerikan Donald Trump mbante lart Kartën e saponënshkruar të Bordit të Paqes është një sukses për Kosovën” – vlerësoi ai në një intervistë për KALLXO.com.

Përveçse e forcon pozitën e Kosovës, Joseph tha se pjesëmarrja e Prishtinës pikërisht në këtë kohë ka vlerë të veçantë, duke pasur parasysh se Uashingtoni e kishte pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën në shtator të vitit 2025.

Pezullimi i Dialogut Strategjik pati bërë bujë vitin e kaluar, duke ngritur pikëpyetje nëse ishin ftohur marrëdhëniet me SHBA-në – fuqinë botërore që Kosova e ka aleatin më të ngushtë që nga çlirimi në vitin 1999.

Në analizën e profesorit amerikan, pozicioni strategjik i Kosovës – duke u përballur me izolim nga Serbia në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe në rrafshin global, si dhe me mbështetjen e fortë të Serbisë nga Rusia dhe Kina – i imponon detyrime Prishtinës.

Kina konfirmoi se ishte ftuar në Bordin e Paqes, por nuk ka deklaruar nëse do të bashkohet.

“Kosova duhet të bëjë çmos për të ndërtuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe të riparojë çdo dëm nga pezullimi i shtatorit. Dhe anëtarësimi në Bordin e Paqes të Trumpit është një hap i rëndësishëm në këtë drejtim” – shprehet ai.

Larg vëmendjes së tij nuk ka mbetur as fakti që Serbia nuk është pjesë e Bordit, ndërsa Shqipëria, Kosova dhe Bullgaria janë anëtare.

“Ajo që është e rëndësishme tani për Kosovën – si dhe për Shqipërinë dhe Bullgarinë – është se ato po e forcojnë marrëdhënien e tyre me Administratën Trump” – vlerësoi Joseph, duke shtuar se vendet e tjera, si për shembull Maqedonia e Veriut, e cila përballet me pengesa të vazhdueshme nga Bullgaria, duhet ta mbajnë shënim këtë dhe të konsiderojnë kërkesën për t’u anëtarësuar.

Shqipëria ka pranuar ftesën për të qenë pjesë e Bordit, ndonëse në ceremoninë e nënshkrimit të Kartës nuk ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama.

Për më tepër, Joseph tërhoqi vëmendjen te fakti se Bullgaria dhe Serbia janë rivalë tradicionalë.

Ai ka këndvështrimin se Serbia nuk ka gjasa të bashkohet, sepse Bordi i Paqes është një konkurrent i dukshëm i OKB-së – dhe Beogradi e sheh OKB-në si qendrore për izolimin e Kosovës, gjë që sipas tij, përbën prioritetin kryesor në politikën e jashtme serbe.

Këtë zhvillim rreth Bordit të Paqes, Joseph e cilëson si një kthesë të jashtëzakonshme, duke marrë parasysh se një vit më parë, kur presidenti Trump mori detyrën sërish, në Beograd kishte pritshmëri tejet të larta.

“Natyrisht, këto pritshmëri nuk janë përmbushur, megjithëse Beogradi ende i ka kanalet e tij me Uashingtonin” – nënvizoi ai.

Bordi i Paqes fillimisht u përqendrua në Gazën. Por, nuk u përjashtua mundësia që të zgjerohet edhe te vendet ku Trump beson se ka parandaluar konflikte. Në mesin e tyre hyn edhe rasti i Kosovës dhe Serbisë – gjë që ngre pikëpyetje nëse mund të ndërrohet qasja ndaj Dialogut për normalizim.

Edhe pse Joseph thotë se nuk ka ndonjë përmendje eksplicite për Ballkanin Perëndimor në Kartën e Bordit, ai nënvizon faktin se “me Trumpin nuk i dihet asnjëherë”.

“E gjithë kjo përpjekje duket të jetë një rrjedhojë e Bordit origjinal të Paqes për Gazën, i cili ka një Bord Ekzekutiv më të detajuar” – shtoi ai.

Joseph vë theksin edhe në përbërjen bazë të Bordit. Për të duket e rëndësishme se një shtetas bullgar dhe ish-zyrtar i OKB-së, Nikolay Mladenov, ka një funksion kyç në Bordin e Paqes për Gazën. Ai përmend gjithashtu raportimet se Jared Kushner, që po ashtu është pjesë e Bordit, u frymëzua për ta zgjeruar konceptin e tërë Bordit të Paqes në nivel global.

Diplomati bullgar Mladenov, i cili ka vite që ushtronte rolin e tij si Koordinator Special i Kombeve të Bashkuara për Procesin e Paqes në Lindjen e Mesme, është caktuar si përfaqësuesi i lartë për Gazën. Ai do të veprojë si lidhja kryesore midis “Bordit të Paqes” të Presidentit Trump dhe një komiteti teknokratik.

Bordi i Paqes do të ketë një “Bord Ekzekutiv themelues” që përfshin Kushnerin, Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, të dërguarin special Steve Witkoff dhe ish-kryeministrin britanik Tony Blair.

Megjithatë, Joseph thotë se qartazi ka shumë pyetje, duke filluar nga tarifa prej 1 miliard dollarësh për të siguruar një ulëse të përhershme në Bord. Presidentja Osmani ka deklaruar se deri më tani Kosovës nuk i është kërkuar një gjë e tillë.

“Në fakt, statusi i Bordit duket të jetë privat dhe jozyrtar. Karta thotë se ajo duhet të depozitohet në Shtetet e Bashkuara – dhe jo në OKB, siç është praktika standarde” – nënvizoi ai.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas nënshkrimit të Kartës të Bordit të Paqes, tha se kjo marrëveshje historike, siç e quan ajo, do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, për të marrë miratimin final të përfaqësuesve të popullit.

“Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të paqes e që udhëhiqen nga aleati ynë strategjik, fuqizon sovranitetin tonë, pozicionin tonë ndërkombëtar, si dhe është në interesin më të lartë të Republikës së Kosovës” – ka deklaruar Osmani.

Derisa 20 vende u bënë nënshkruese të Kartës së Bordit të Paqes, vendet perëndimore nuk kanë pranuar të bashkëngjiten.

Sekretarja e Jashtme britanike, Yvette Cooper, i tha BBC-së se vendi i saj nuk do të jetë një nga nënshkruesit “sepse bëhet fjalë për një traktat ligjor që ngre çështje shumë më të gjera”. Kancelari gjerman Friedrich Merz dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni deklaruan se do të kishin qenë të gatshëm t’i bashkoheshin “Bordit të Paqes”, por nuk munden për shkak të barrierave kushtetuese. Kurse Kanadaja shfaqi hezitim dhe rezerva të forta, gjë që çoi në tërheqjen e ftesës nga ana e Trumpit. Franca dhe Norvegjia kanë refuzuar.

Në lidhje me mungesën e pjesëmarrjes të vendeve perëndimore, Joseph vlerëson se kundërshtimi ndaj Bordit të Paqes mes vendeve europiane është i fortë dhe ka gjasa të rritet.

“Marrëdhëniet transatlantike janë në një pikë ‘këputjeje’ (rupture), për të cituar fjalën kyçe nga Davosi. Europa është në pozicionin e kundërpërgjigjes ndaj sulmit të Administratës kundër rendit ndërkombëtar” – beson ai.

Trump në fjalimin e tij në Bordin e Paqes tha se nuk e ka qëllimin që ta rivalizojë ose t’i minojë Kombet e Bashkuara. Megjithatë, republikani amerikan vitin e kaluar kishte kritikuar haptazi këtë mekanizëm duke e vlerësuar si të padobishëm. Një gjë të tillë e përsëriti edhe në mes të janarit 2026, duke deklaruar se është një adhurues i madh i potencialit të OKB-së, por sipas tij “ajo kurrë nuk e ka përmbushur potencialin e saj”.

“OKB-ja duhet të kishte zgjidhur të gjitha luftërat që unë zgjidha. Unë kurrë nuk shkova në to. As që mendova të shkoja në to,” u tha Trump gazetarëve.

Pavarësisht fjalëve të Trumpit se Bordi i Paqes mund të bashkëpunojë me OKB-në, Joseph konsideron se është e qartë nga Preambula e Kartës se Bordi është një përpjekje për një lloj alternative. “Natyra e dyshimtë e disa prej anëtarëve themelues të Bordit të Paqes vetëm sa do të rrisë skepticizmin në Europë” – tha ai.

Megjithatë, sipas tij, ky është shqetësim për Europën – jo për vendet e Ballkanit si Kosova (e cila nuk njihet nga pesë vende të BE-së dhe për këtë shkak nuk ka as kandidaturë). Gjithashtu, kjo nuk duhet të jetë shqetësim as për Maqedoninë e Veriut, e cila ndryshoi emrin e megjithatë ende nuk mund të hapë negociatat e anëtarësimit në BE për shkak të kërkesave të Bullgarisë.

Liderët e Argjentinës, Armenisë, Azerbajxhanit, Bahreinit, Bullgarisë, Emirateve të Bashkuara Arabe, Hungarisë, Indonezisë, Jordanisë, Katarit, Kazakistanit, Kosovës, Marokut, Mongolisë, Pakistanit, Paraguait, Arabisë Saudite, Turqisë dhe Uzbekistanit janë ata që kanë vënë nënshkrimet e tyre në ditën e themelimit të këtij bordi, më 22 janar në Davos të Zvicrës.

Sipas draftit të statutit, një kopje e të cilit u sigurua nga media e mirëbesueshme ndërkombëtare CNN, Trump do të shërbejë si kryetar i bordit, ndoshta duke mbajtur postin përtej mandatit të tij të dytë si president. Këshilli i Sigurimit i OKB-së në nëntor 2025 i ka dhënë mandat Bordit të Paqes, por vetëm deri në vitin 2027 dhe me fokus vetëm në Gazë.

Rezoluta mirëpret krijimin e Bordit të Paqes si administratë kalimtare “që do të përcaktojë kornizën dhe do të koordinojë fondet për rindërtimin e Gazës”, sipas planit të paqes të Trumpit, derisa autoriteti palestinez të reformohet në mënyrë të kënaqshme.

Gjatë dymbëdhjetë viteve të tij në Ballkan, Edward Joseph shërbeu gjatë luftërave në secilin vend të prekur nga konflikti, duke përfshirë detyrat në Bosnjë, Kosovë dhe Maqedoni. Ai ka shërbyer edhe në misione në Haiti, Irak, Afganistan dhe Pakistan./Kallxo.com

- Reklama -
Klikoni Këtu për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Më të lexuarat

Numërohen votat e para për Kuvendin Komunal të Prizrenit, linku ku mund t’i gjeni rezultatet

KQZ ka publikuar rezultatet e para të kandidatëve për...

Feel Unique Sensations at Crown Green Casino and Join Unique Adventures – Exclusive Rewards

Feel Unique Sensations at Crown Green Casino and Join...

ACE mbyll Filma24, gjigantin e piraterisë së filmave në Shqipëri

Për mijëra shqiptarë, Filma24 ishte destinacioni kryesor për filma...

Dy raste të rënda në Arbanë dhe Grejkoc: I japin fund jetës një 36-vjeçar dhe një 43-vjeçare

Dy raste të ndara me pasojë vdekjen janë raportuar...

Të shtëna me armë zjarri në Prizren, dy persona të plagosur – jashtë rrezikut për jetë

Dy persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e...

Të ngjajshme

isim değiştirme

- mersin escort

isim değiştirme

- mersin escort