Ndërmarrja Ekoregjioni ka reaguar ndaj, siç i quan, spekulimeve të fundit që po qarkullojnë në disa media lidhur me pretendimet se kryeshefi ekzekutiv i saj ndodhet në arrati.
Sipas reagimit për opinionin publik, kryeshefi ekzekutiv i Ekoregjionit, Burim Shala, që nga dita e shtunë ndodhet në Itali për arsye thjesht familjare, dhe kjo vizitë nuk ka asnjë lidhje me pretendimet për shmangie nga përgjegjësia apo drejtësia.
Nga Ekoregjioni bëhet e ditur se Shala prej disa ditësh ndodhet jashtë Kosovës dhe se kjo ka qenë e njohur edhe më herët. Po ashtu, ndërmarrja njofton se kryeshefi ekzekutiv pritet të kthehet në Kosovë brenda kësaj jave.
“Në asnjë rrethanë kryeshefi ekzekutiv nuk i shmanget përgjegjësisë apo drejtësisë,” thuhet në reagimin e menaxhmentit.
Ekoregjioni thekson se ka besim të plotë në organet e drejtësisë, duke vlerësuar se ato janë duke e kryer punën e tyre në mënyrë profesionale dhe të pavarur, në përputhje me ligjin.
Në fund, ndërmarrja u bën thirrje mediave dhe opinionit publik që të përmbahen nga, siç thuhet, dezinformatat dhe spekulimet e pabazuara, duke respektuar parimin e prezumimit të pafajësisë.
