Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka vizituar Panairin ndërkombëtar të drurit dhe ndërtimit “Swissbau 2026”, në të cilën po prezantohen 27 biznese vendore.
Kurti në një postim në Facebook shkruan se pas pandemisë, prezantimin e Kosovës në panaire ndërkombëtare e rifilluan pikërisht në Swissbau në maj të vitit 2022 me 8 biznese pjesëmarrëse.
Kosova ndodhet në mesin e 19 shteteve të botës që përfaqësohen në këtë panair sivjet dhe i vetmi vend në rajon që po merr pjesë me një hapësirë ekspozuese prej afër 700 metra katrorë.
Postimi i plotë:
Nga Davosi dhe Shtëpia e Kosovës atje, vazhduam drejt Baselit për në panairin ndërkombëtar të drurit dhe ndërtimit “Swissbau 2026”.
Pas pandemisë, prezantimin e Kosovës në panaire ndërkombëtare e rifilluam pikërisht në Swissbau në maj të vitit 2022 me 8 biznese pjesëmarrëse, ndërsa sot në të njëjtin panair mbështetëm tashmë 27 biznese vendore.
Kosova ndodhet në mesin e 19 shteteve të botës që përfaqësohen në këtë panair sivjet dhe jemi i vetmi shtet në rajon që po merr pjesë, me një hapësirë ekspozuese prej afër 700 metra katrorë, e mbështetur nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Swissbau është një nga panairet më të rëndësishme të sektorit të drurit në Evropë, i cili vizitohet nga më shumë se 52 mijë vizitorë profesionistë dhe ku po marrin pjesë 592 biznese gjithsej nga 19 shtete të ndryshme të botës.
