Ministrat e Jashtëm të shteteve të Ballkanit Perëndimor janë mbledhur në Stamboll për takimin e dytë të Platformës së Paqes për Ballkanin, me qëllimin që të shkëmbehen mundësi bashkëpunimi që kontribuojnë në ndërtimin e paqes.
Me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, Hakan Fidan, homologia e tij në Kosovë, Donika Gërvalla-Schwarz, po merr pjesë në këtë takim, ku fillimisht mbajti një takim bilateral me të.
- Reklama -
“Turqia, si shtet mik dhe aleat i ngushtë i Republikës së Kosovës, mbetet një partner i rëndësishëm në promovimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal” – ka shkruar Gërvalla në Facebook.
Gjatë takimit me ministrin Fidan, ajo tha se theksoi se Kosova, përmes angazhimit të saj në këtë platformë, riafirmon orientimin strategjik drejt integrimit euroatlantik, përfshirë anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe NATO, si dhe përkushtimin ndaj paqes së qëndrueshme, fqinjësisë së mirë dhe stabilitetit rajonal.
“Po ashtu, vura në dukje rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe të përpjekjeve të përbashkëta për një rajon më të sigurt”- shtoi ajo.
Kjo platformë, mbledh ministrat e punëve të jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe shërben si forum për shkëmbimin e pikëpamjeve në çështje me interes të përbashkët, përfshirë identifikimin e mundësive për thellimin e bashkëpunimit rajonal në fusha të ndryshme.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, nëpërmjet një njoftimi ka theksuar se pjesëmarrja e Republikës së Kosovës në këtë platformë riafirmon prioritetet e saj strategjike për anëtarësim në Bashkimin Evropian, NATO dhe organizata të tjera relevante ndërkombëtare, si dhe përkushtimin e palëkundur të Republikës së Kosovës ndaj promovimit të paqes së qëndrueshme, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe stabilitetit rajonal.
“Republika e Kosovës vlerëson lart marrëdhëniet e shkëlqyera dhe partneritetin e qëndrueshëm me Republikën e Turqisë, si dhe rolin e rëndësishëm të Republikës së Turqisë në avancimin e dialogut, promovimin e paqes dhe forcimin e stabilitetit, si në rajon ashtu edhe në nivel global”- shkruan MPJD.
- Reklama -
