Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe sekretari i Përgjithshëm Genc Metaj, sot morën pjesë në diplomimin e 21 kadetëve që përfunduan me sukses trajnimin profesional për zjarrfikës.
Sipas njoftimit të MPB-së, ky trajnim i ndarë në 9 module për 20 javë, u ofroi kadetëve mundësinë e fitimit të njohurive të avancuara dhe aftësive konkrete për reagim të shpejtë dhe efikas në raste emergjencash, parandalimin dhe menaxhimin e zjarreve, si dhe për ndërhyrje profesionale në mbrojtje të jetës njerëzore, pronës dhe mjedisit.
MPB thekson se qëllimi kryesor i këtij trajnimi ka qenë ngritja e kapaciteteve profesionale të zjarrfikësve, duke i pajisur ata me kompetencat e nevojshme për t’u përballur me sfidat bashkëkohore të sigurisë, të cilat po bëhen gjithnjë e më komplekse, thuhet në njoftim.
Me rastin e përfundimit me sukses të këtij trajnimi, siç bën të ditur MPB, ministri Sveçla falënderoi të gjithë instruktorët dhe trajnerët të cilët kanë ndarë dijen dhe përvojën e tyre duke kontribuar drejtpërdrejtë në formimin profesional të këtyre zjarrfikësve. Po ashtu, thuhet se ministri Sveçla falënderoi edhe partnerët ndërkombëtar që kanë kontribuar në këtë projekt.
Ministria e Punëve të Brendshme tutje ka theksuar se mbetet e përkushtuar që të vazhdojë investimet në zhvillimin e kapaciteteve njerëzore dhe teknike të shërbimit të zjarrfikësve duke investuar kështu drejtpërdrejtë edhe në sigurinë e vendit dhe qytetarëve të Kosovës.
