Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, bashkë me zyrtarë partiak ka bërë homazhe pranë varrit të ish presidentit Ibrahim Rugova në 20-vjetorin e vdekjes së tij.
Abdixhiku tha se Rugova mbetet shqiptari më i madh i të gjitha kohërave, raporton KosovaPress.
“Në 20 vjetorin e largimit të atit themeltar të Kosovës, nderojmë Rugovën, njeriu i cili jo vetëm realizoj një ëndërr historike të popullit të Kosovës për liri, demokraci dhe pavarësi, por krijoj një projekt madhor, më të madhin të shqiptarëve të Kosovës. Në këtë 20 vjetor, Rugovën jo vetëm e nderojmë por e kujtojmë dhe nën kujtimet e tija dhe ëndrrën e tij, punojmë vazhdimisht që vendit tonë t’i japim të ardhmen e merituar, e lirë, me një shtet të fuqishëm, në familjen euroatlantike. Mbetet shqiptari më i madh i të gjitha kohërave dhe si i tillë na obligon të sillemi me dinjitet, maturi dhe përkushtim të madh për atdheun tonë”, tha Abdixhiku.
Bashkë me Abdixhikun ishin edhe anëtarë të familjes Rugova.
Ukë Rugova, i biri i presidentit Rugova falënderoi Abdixhikun, siç tha ai, për punën e mirë që po e bën më trashëgiminë e ish-presidentit dhe kryetarit të LDK-së.
“Ju faleminderit për punën e mirë që po e bëni në trashëgiminë e presidentit Rugova në LDK dhe për të mirën e Kosovës dhe për të vazhduar miqësinë e përhershme me SHBA-të dhe BE-në”, tha Rugova. /KosovaPress/
