Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i ka kthyer përgjigje Presidentit amerikan Donald Trump në ftesën për pjesëmarrje në Bordin e Paqes.
“Në një kohë kur konfliktet dhe përçarja dominojnë shumë shpesh panoramën ndërkombëtare, paqja duhet të formësohet aktivisht, e jo të pritet pasivisht a diskutohet pafundësisht nëpër forume politike, teksa përreth globit jetë të pafajshme humbasin kotësisht çdo minutë. Bordi i Paqes shfaqet si mishërimi i kësaj domosdoshmërie urgjente.”- ka shkruar Rama në letrën drejtuar Trumpit.
Kryeministri shqiptar ka shkruar po ashtu se duke trajtuar konflitet dhe shkaqet strukturore që e prodhojnë paqëndrueshmërinë, kjo nismë ka potencial që të shndërrohet në model transformues të ndërtimit të paqes në nivel globat.
Sipas tij, Bordi i Paqes nuk është konceptuar si forum deklaratash, procedurash dhe përgjegjësish të shtyra në kohë, por si instrument i udhëheqjes dhe përgjegjësisë globale.
Privilegj dhe nder, sipas tij është për të shprehur gatishmërinë e plotë për të kontribuar në këtë Bord, të cilin e quajti përpjekje e rëndësishme për t’u bërë pjesë e një angazhimi që synon të përkthejë vizionin në veprim.
“Republika e Shqipërisë ka qenë prej kohësh një aleate e palëkundur e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e lidhur nga vlera të përbashkëta, respekt i ndërsjellë dhe një përkushtim i përbashkët ndaj lirisë, demokracisë dhe sigurisë ndërkombëtare.”- ka shkruar Rama.
Ai ka shtuar se populli shqiptar do e kujtojë gjithmonë dhe çmojë vazhdimisht rolin parimor e vendimtar të SHBA-së, drejt vendosjes së paqes dhe stabilitetit në rajon, në momente kritike të historisë së përbashkët.
Rama ka thënë se rithekson se Republika e Shqipërisë qëndron me vendosmëri përkrah SHBA-së në të gjitha përpjekjet për promovimin e paqes, sigurisë dhe angazhimit kontruktiv global.
