Udhëheqësit institucionalë kanë reaguar pas aksidentit tragjik hekurudhor në Spanjë, ku raportohet se vdiqën të paktën 39 persona.
Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur ngushëllimet dhe është solidarizuar me popullin e Spanjës.
Në një postim në X, Osmani u ka uruar shërim të shpejtë të lënduarve.
“Lajm i dhimbshëm nga Spanja jugore pas një aksidenti tragjik hekurudhor që ka marrë shumë jetë dhe ka lënë shumë të tjerë të plagosur. Ngushëllimet tona të sinqerta për familjet që kanë humbur të dashurit e tyre dhe urimet tona për shërim të shpejtë të të gjithë të lënduarve. Kosova solidarizohet me popullin e Spanjës në këtë kohë të vështirë”, ka shkruar ajo.
Ndërsa kryeministri Albin Kurti, ka thënë se është thellësisht i prekur për ngjarjen.
“Jemi thellësisht të pikëlluar nga lajmet që vijnë nga Spanja për aksidentin tragjik të trenit që mori shumë jetë. Mendimet tona janë me viktimat dhe familjet e tyre, ndërsa ekipeve të shpëtimit u urojmë forcë në përpjekjet e tyre”, ka shkruar Kurti në platformën X.
Të paktën 39 persona e kanë humbur jetën në një përplasje trenash në jug të Spanjës dhe dhjetëra të tjerë janë lënduar në aksidentin më të rëndë hekurudhor të vendit në më shumë se një dekadë, sipas Gardës Civile të Spanjës.
Vagonët e një treni që po shkonte drejt Madridit dolën nga shinat dhe kaluan në linjën e kundërt, duke u përplasur me një tren që po vinte përballë në Adamuz, pranë qytetit të Kordobës.
Sipas rrjeteve hekurudhore, rreth 400 pasagjerë dhe punonjës ndodheshin në bord të të dy trenave.
Të paktën 73 persona u dërguan në spital, 24 prej tyre me lëndime të rënda, përfshirë katër fëmijë, sipas shërbimeve emergjente të Andaluzisë.
