Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër pas ndryshimeve në rezultatet e kandidatëve për deputet, duke i cilësuar ato si manipulim të qëllimshëm të votës dhe jo si gabime të rastësishme.
Sipas Abdixhikut, votat u janë tjetërsuar kandidatëve të rinj dhe të pastër brenda LDK-së, për shkak se, siç u shpreh ai, nuk u përshtaten atyre që politikën e kanë shndërruar në strehë interesi. Ai theksoi se goditja ndaj emrave të rinj nuk është vetëm personale, por sulm ndaj reformës dhe ndaj një gjenerate që beson në të ardhmen.
“Kur goditet një i ri në politikë, nuk goditet vetëm një emër; goditet ideja e një gjenerate dhe mbi të gjitha reforma”, ka deklaruar Abdixhiku, duke shtuar se ajo që po ndodh në disa qytete është rezistencë e atyre që, sipas tij, e kanë gërryer LDK-në nga brenda dhe po tentojnë ta ndalin procesin reformues.
Ai paralajmëroi se kjo situatë do të ketë pasoja, duke bërë të ditur se përgjegjësia politike do të trajtohet pas mbajtjes së Kuvendit të partisë.
“Përtej turpit publik dhe ligjit të Republikës, do të ketë edhe përgjegjësi politike brenda shtëpisë sonë”, tha Abdixhiku.
Kryetari i LDK-së kërkoi veprim të menjëhershëm nga institucionet e drejtësisë, duke theksuar se përgjegjësit për manipulimin e votave duhet të ndëshkohen sipas ligjit, përfshirë edhe me burgim.
Ai po ashtu kërkoi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të sigurojë rinumërim të plotë të çdo kutie në çdo qytet, për të larguar çdo dyshim rreth procesit zgjedhor.
“Në fund, vota nuk tjetërsohet. Vota mbrohet”, përfundoi Abdixhiku, duke shtuar se megjithëse LDK ka më së paku parregullsi krahasuar me partitë e tjera, kjo i ngarkon ata me përgjegjësi të dyfishtë.
