Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka përkujtuar sot 558-vjetorin e ndarjes nga jeta të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, duke theksuar rolin e tij të pazëvendësueshëm në historinë dhe formimin kombëtar të shqiptarëve.
Basha ka vlerësuar Skënderbeun si prijësin që, në kohë të errëta për Arbërinë, arriti të bashkojë fisnikët arbërorë, të organizojë qëndresën kundër ushtrive osmane dhe të mbajë vendin të lirë për një çerek shekulli, përballë një force shumë më të madhe.
Sipas tij, Skënderbeu nuk ishte vetëm strateg dhe gjeneral i pavdekshëm, por edhe udhëheqës politik e diplomatik, i cili e lidhi fatin e Arbërisë me Evropën e kohës dhe u shndërrua në frymëzim të përhershëm për brezat që luftuan kundër robërisë.
“Në vitin 1468 u shua jeta e tij, por jo edhe vepra,” ka theksuar Basha, duke përfunduar mesazhin me thirrjen: “Lavdi për jetë e mot Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.”
