Sonte në mesnatë do të nisë zbatimi strikt i Ligjit për komunikacionin, ku automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë në vend më shumë se tre muaj ose me autorizim.
Këtë për Telegrafin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.
“Ligji do të nisë së zbatuari sonte në orën 00:00 dhe jemi në pritje të urdhëresave nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme”, u shpreh Elshani.
Krahas ligjit për komunikacionin, do të nisë edhe zbatimi strikt i ligjit për të huajt sa u përket dokumenteve personale, ku të gjithë ata që nuk kanë dokumente të Kosovës do të duhet të aplikojnë për leje qëndrimi brenda 72 orëve.
Këto masa do të prekin kryesisht anëtarët e komunitetit serb që jetojnë në Kosovë, të cilët deri tani kanë drejtuar automjete me targa të qyteteve të Serbisë, mbi bazën e një autorizimi, ose pa pasur dokumente të lëshuara nga institucionet e Kosovës.
Zbatimi pa përjashtime i këtyre dy ligjeve ishte planifikuar të niste më 1 nëntor të vitit të kaluar, por Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës e shtyu afatin deri më 15 janar 2026, me qëllim zhvillimin e një fushate informuese.
Në fund të vitit 2022, Kosova ndaloi qarkullimin e automjeteve me targa që mbajnë akronimet e qyteteve të Serbisë.
Kjo masë çoi në largimin e disa pjesëtarëve të komunitetit serb nga institucionet e Kosovës dhe rriti tensionet në terren.
Pas kësaj, disa serbë që jetojnë në Kosovë i regjistruan automjetet e tyre në Serbi dhe i përdornin ato në bazë të autorizimeve të posaçme.
Këto autorizime përfshijnë të dhënat e kartës së identitetit të drejtuesit të automjetit, të lëshuar nga autoritetet serbe për qytete në Kosovë, dokumente të cilat Prishtina zyrtare nuk i njeh. /Telegrafi
