Një person është gjetur pa shenja jete në Prizren, në orët e para të mëngjesit.
Policia ka bërë të ditur se të enjten, me datë 15.01.2026, natën rreth orës 01:20, është njoftuar për një rast se në automjetin e tij gjendet një person pa shenja jete.
Sipas informatave fillestare, në rrugën “Hajdar Shala”, në Prizren, një person mashkull , rreth 55 vjeçar (A.S.), banor i Prizrenit, me profesion taksist, është gjetur pa shenja jete brenda automjetit të tij. I ndjeri ishte duke qëndruar në pritje, me automjetin e parkuar në një vendparkim të rezervuar për TAXI.
Në njoftim thuhet se në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitë policore dhe ekipi i emergjencës, ku nga ekipi mjekësor i Urgjencës është konstatuar vdekja e personit.
Policia njofton se pas pranimit të informatës, ekipi kujdestar i Sektorit Rajonal të Hetimeve nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, dhe me urdhër të tij, trupi i pajetë i të ndjerit është dërguar në IML për ekzaminim të mëtejmë.
Gjatë ekzaminimit sipërfaqësor të trupit, nuk janë vërejtur shenja të dhunës, njofton Policia.
Rasti është duke u trajtuar si “Hetimi i vdekjes” në bashkërendim me Prokurorinë.
