Sindikata e Policisë së Kosovës, përmes një komunikate për media, ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me mos-pagesën e familjeve të policëve të rënë gjatë kryerjes së detyrës për muajin dhjetor.
Sipas SPK-së, edhe pse nga Drejtoria e Financave është bërë kërkesa zyrtare për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 290,000 euro, deri më tani këto mjete nuk janë ekzekutuar nga Ministria e Financave.
Sindikata thekson se “si pasojë, familjet e policëve të rënë në detyrë, të cilët janë një kategori e shenjtë dhe e respektuar për vendin tonë, kanë mbetur pa pagesë edhe pas përmbylljes së vitit”.
“Kjo situatë është e papranueshme dhe e dhimbshme, duke marrë parasysh sakrificën sublime të këtyre familjeve, të cilat kanë dhënë bijtë dhe bijat e tyre për sigurinë e vendit tonë, ruajtjen e rendit publik dhe mbrojtjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës” – thuhet në reagim.
Tutje, Sindikata e Policisë së Kosovës u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse, në veçanti Ministrisë së Financave, që sa më parë të gjejnë zgjidhje dhe të realizojnë pagesat e mbetura, në mënyrë që të mos cenohet dinjiteti dhe mirëqenia e këtyre familjeve.
“Sakrifica e policëve të rënë në detyrë nuk duhet dhe nuk guxon të harrohet” – përfundon reagimi i SPK.
