Kryetari i Partisë Demokratike Progresive Nenad Rashiq, ka thënë se sulmi ndaj djalit të tij ishte i planifikuar më herët. Ai në një konferencë për media ka thënë se i njëjti grup i cili e ka rrahur djalin e tij, një natë më herët janë grumbulluar për t’u marrë vesh se çfarë do të bëjnë të hënën. E këtë, ai thotë se e kanë bërë të ditur në Facebook.
“Njoftimi tjetër është nuk dua ta lexoj pasi është fyese, kjo jep shenja se kjo duhet të jetë e ndërlidhur me ngjarjen. Ditën e djeshme kur njeri prej tyre që ka vënë këto postime djalit tim i është drejtuar me një fjalor, e kanë fyer dhe bazuar në këtë unë nuk mund të jem plotësisht objektiv por si njeri që din se çfarë kuptimi kanë këto sharje se këtu ka diçka të planifikuar që djali im të jetë viktima”, ka thënë ai.
Ai tutje ka thënë se ajo nëpër të cilën kanë kaluar është fatkeqësi dhe nuk dëshiron që të jap më shumë detaje e ta pengojë procesin, duke shtuar se të gjitha organet e drejtësisë janë kyçur në rast.
“Kanë shkuar në shkollë në vitin e katër në gjimnaz, dhe ka qenë i atakuar së bashku me shokët e tij nja një grup i cili ka sulmuar jo vetëm me duar por edhe me mjete tjera. Djali është sulmuar me shipkë metalike, boksa hekuri dhe janë shkaktuar prerje të buzëve, i janë thyer tre dhëmbë dhe kishte gjakderdhje të madhe. Ka dëshmitarë për të konfirmuar situatën reale. Ekziston dyshimi i imi se politikanët me deklarata të pamoralshme kanë ndikuar në acarimin e kësaj gjendje”, ka thënë ai.