Pas masave të reja kufizuese që ka ndërmarrë qeveria, kosovarët janë nisur drejt Shqipërisë për të kaluar fundjavën.Sipas disa fotografive të publikuara në rrjetet sociale, shihet se në pikën e kalimit kufitar në Morinë janë krijuar radhë të gjata të makinave.
Qeveria ka marrë vendim që në fundjavë të u ndalohet veprimtaria e të gjitha subjekteve afariste dhe bizneseve, qendrave tregtare e rekreative, supermarketeve, subjekteve që ofrojnë shërbimet e gastronomisë (restorantet, kafiteritë dhe të ngjashme) në tërë territorin e Republikës së Kosovës, prej orës 20:00, më 06/11/2020 (e Premte) deri më 09/11/2020 (e Hëne) në orën 05:00.
Po ashtu, Qeveria ka vendosur që të fut në karantinë shtatë komuna: Prishtinën, Fushë Kosovën, Gjilanin, Obiliqin, Gjakovën, Podujevën dhe Shtimen.
Në komunat e lartë cekura ndalohet hyrja/dalja e qytetarëve dhe automjeteve private prej orës 20:00 të dt.06/11/2020 deri në orën 05:00 të dt. 09/11/2020.
Ndërkohë qeveria në Shqipëri nuk ka ende një vendim për nisjen e izolimit të dytë, dhe sipas ekspertëve, ka ende kapacitet në spitale, që mund të ofrojnë shërbim për personat e prekur, raporton Faxweb.