Kandidati për deputet, Faton Bislimi në Express Intervistë të KTV-së ka thënë se LDK-ja mund ta përkrahë Vjosa Osmanin për presidente nëse vlerësohet se kandidatura e saj është në interes të shtetit.
Ai ka thënë se LDK me krenarinë më të madhe do ta votonte Osmanin për presidente sikur ajo të mos largohej nga partia.
“Nëse Osmani do të jetë kandidate për presidente. Por në kushte të tilla, LDK-ja me një marrëveshje paraprake, do të vijë në përfundim se cili do jetë interesi i shtetit dhe do ta votonim. Ne do të jemi koherent mes vete dhe si LDK do të veprojmë”, ka thënë ai.
Bislimi ka thënë se Kuvendi i partisë duhet të zgjidhet siç i përshtatet elektoratit e jo vetë njerëzve brenda partisë. Ai thekson se nëse nuk ka besim brenda partisë, mund të dëmtohet rëndë ajo.
“U është dhënë rast njerëzve të rinj që kanë ardhur në parti. Gara brenda lidershipit të partisë, ka pasur një thyerje aty. Ishte kompromis i madh në 2019 kur Isa Mustafa mori mandatin për kryetar të partisë e Vjosa Osmani për kandidate për kryeministre. Vazhdojnë njerëzit që të kenë hapësirë. Unë do të doja që lidershipi që del nga LDK-ja të jetë burimor. 14 shkurti është fakt i përfunduar në aspektin e votave, ne duhet të presim certifikimin e rezultateve dhe bërjen e parlamentit, por si parti jemi angazhuar që të ristrukturohemi që lidershipi të jetë burimor dhe ta rimëkëmb partinë”, ka thënë ai.
Bislimi ka thënë se një prej gabimeve të LDK-së ka qenë edhe koalicionet, porse shton se nuk kishin mundësi tjetër.
Ai ka thënë se druan se Qeveria Kurti do të ketë mangësi të mëdha në qeverisje.
“Vetëvendosja sa ishte opozitë ishte shumë destruktive. Kurti e ka quajtur marrëveshjen e Washingtonit të gabueshme, njohjen e Izraelit të pavërtetë, do të thotë se ai ka vepruar me standarde të dyfishta”, ka thënë ai.