Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen e ish-Presidentit Hashim Thaçi, pas ndarjes nga jeta të babait të tij, Haxhi Thaçi.
Me këtë rast, Totaj ka theksuar se në këto momente të vështira, janë pranë familjes Thaçi dhe ndajnë dhimbjen për këtë humbje të madhe. Sipas tij, Haxhi Thaçi ka përballuar sfida të shumta me krenari dhe qëndresë, duke kontribuar në formimin e një brezi që luftoi për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Haxhi Thaçit, babait të Presidentit Hashim Thaçi. Një baba i urtë dhe fisnik, i cili rriti një bir që e vuri jetën e tij në shërbim të lirisë dhe shtetit të Kosovës. Në këto momente të vështira, jemi pranë familjes Thaçi, duke ndarë dhimbjen për këtë humbje të madhe. Haxhi Thaçi përballoi sfida të shumta me krenari dhe qëndresë, duke e parë djalin e tij të mbajtur padrejtësisht larg Kosovës”, ka thënë Totaj.
Ai gjithashtu ka lutur që shpirti i Haxhi Thaçit të prehet në paqe dhe ka shprehur shpresën që familja të gjejë forcën për të përballuar këtë dhimbje të madhe.
“Ngushëllime të sinqerta familjes Thaçi dhe gjithë atyre që ndjejnë këtë humbje!”, ka përfunduar kryetari i Prizrenit.