Qeveria e Kosovës e ka cilësuar “për keqardhje” vendimin e kryesisë së Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) për mosbashkëpunim me rastin e festimit të Ditës së Pavarësisë dhe Epopesë.
Për KALLXO.com, nga Zyra e Kryeministrit thanë se vendimi është politik dhe është i kryesisë, jo i luftëtarëve të lirisë.
“Është për keqardhje që festa e pavarësisë e shtetit tonë, në organizimet e parapara nga Qeveria e Republikës së Kosovës, bojkotohet nga Kryesia e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Vendimi si i tillë, është politik dhe i kryesisë, jo i luftëtarëve tanë të cilët sakrifikuan shumë duke luftuar armikun, për ta sjellur lirinë. Qeveria ka qenë dhe do jetë përherë pranë veteranëve, familjeve të dëshmorëve e secilit që ka sakrifikuar për lirinë dhe pavarësinë e shtetit” – thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit për KALLXO.com.
Kjo, sipas Qeverisë, është dëshmuar përmes politikave të zbatuara në këto katër vite.
“Zyra e Kryeministrit ka qenë e hapur çdoherë për takime dhe bashkëpunim me organizatat e dala nga lufta, por edhe për çdo individ nga kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së. Me iniciativë të ZÇKDL-së në kuadër të ZKM-së dhe implementim nga Ministria e Shëndetësisë, është marrë vendimi për mbulimin e kostove për proteza për invalid të UÇK-së dhe invalid civilë të luftës. Së fundmi, hyri në fuqi dhe rritja e pensioneve për të gjitha kategoritë e dala nga lufta e fundit në Kosovë” – theksoi Zyra e Kryeministrit mes tjerash.
Qeveria e Kosovës e ka ftuar OVL – UÇK-në ta rimendojë vendimin e marrë më 13.02.2025.
“Dora e shtetit nuk është ndjerë kurrë më fuqishëm sesa tash për veteranët. Pak ditë para ditës së pavarësisë, kur shteti ynë i mbush 17 vjet, mundemi veç ta ftojmë organizatën që ta rimendojë vendimin e saj, e të bashkohet në festën e madhe të shtetit tonë, ku duhet të jemi të gjithë pranë njëri-tjetrit.” – shtoi Zyra e Kryeministrit për KALLXO.com.
Kryesia e OVL UÇK-së në takimin e mbajtur më 13.02.2025 ka vendosur që nuk do të ketë asnjëlloj bashkëpunimi me institucionet e Qeverisë së Kosovës lidhur me festimin e 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe për maniftestimin e 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së të Familjes Jashari të datave 5, 6 dhe 7 mars./Kallxo.com/