Pasditen e së martës, në Reçan është nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi për hapjen e fabrikës së tekstilit nga kompania turke “ Inotrim Otomotiv”, e cila merret me prodhimin e enterierit për vetura, ku pritet të punësohen 200 gra e vajza nga Zhupa dhe më gjërë.
Para nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit për hapjen e fabrikës së tekstilit për enterierin e automjeteve nga kompania turke “ Inotrim Otomotiv”, zv’kryeministrja, Emilija Rexhepi, në prani të shumë pjesëmarrësve ku shumica prej tyre ishin gra dhe vajza, tha se sot është një ditë e veçantë për të gjithë ne, pasi hapja e kësaj fabrike përfaqëson një hap kyç në zhvillimin e komunitetit tonë, pasi do të krijojë mbi 200 vende pune, kryesisht për gratë, duke u dhënë atyre mundësinë për fuqizim ekonomik dhe duke kontribuar në forcimin e ekonomisë lokale.
Menaxheri gjeneral i kompanisë “Inotrim Otomotiv”, Selahattin Baykan, shprehu besimin se bashkëpunimi në hapjen dhe funksionimin sa më të suksesshëm të kësaj fabrike, do të jetë i frytshëm jo vetëm për kompaninë. Përfaqësuesi i kësaj kompanie, Serkan Ayik, njoftoi të pranishmit për funksionimin e ““Inotrim Otomotiv”, ndërsa tha se në fazën e parë të hapjes së kësaj fabrike në Kosovë pritet të punësohen 100 persona. Investitorët turk i ka falënderuar për këtë investim jashtëzakonisht të rëndësishëm, edhe e reja, Shejlla Arifi. Përveç zv’kryeministres, Rexhepi, kontribut në arritjen e këtij Memorandumi të Mirëkuptimit, ka dhënë edhe Ayten Kodrazi, këshilltare e jashtme për çështjet me Turqinë, e cila do të jetë e angazhuar gjithashtu në përzgjedhjen e punëtorëve për këtë projekt. Fabrika pritet të ndërtohet në Reçan të Zhupës, ndërsa një tjetër mendohet të ndërtohet edhe në Prizren.