Pas raportimit të KALLXO.com se nxënësve të Gjimnazit “Kuvendi i Arbërit” në Ferizaj u ka shkuar një mesazh njoftues për mbajtjen e një mbledhjeje të Lëvizjes Vetëvendosje në këtë qytet, më 09.01.2025, ka reaguar Këshilli i Prindërve të Kosovës.
Këshilli i Prindërve të Kosovës thotë se kanë pranuar ankesa nga disa këshilla komunalë të prindërve për disa raste të keqpërdorimit të këshillave të nxënësve në disa shkolla.
“Këshilli i Prindërve të Kosovës reagon dhe shpreh shqetësimin lidhur me keqpërdorim e grupeve të këshillave të nxënësve, të cilat janë të krijuara si trupa të pavarur për të kontribuar për përmirësimin dhe mbrojtjen e të drejtave të nxënësve dhe kushteve të tyre të mësim-nxënies dhe jo për qëllime politiko-partiake” – thuhet në reagimin e Këshillit të Prindërve të Kosovës në Facebook më 10.01.2025.Si Këshill i Prindërve të Kosovës e kanë dënuar çdo keqpërdorim të tillë nga çdokush dhe u kanë bërë thirrje këshillave të nxënësve që të përdoren vetëm për qëllimin mbi të cilin janë themeluar, e po ashtu ata kanë një thirrje edhe për partitë politike.
“KPK, bënë thirrje Këshillave të Prindërve dhe Këshillave të Nxënësve që t’i kryejnë detyrat e tyre konform qëllimit për të cilin janë themeluar dhe ekzistoj dhe mos të bien pre e agjendave partiake. Po ashtu KPK, bënë thirrje të gjitha partive politike që mos t’i përdorin fëmijët tanë për agjenda partiake dhe partitë të rrinë larg shkollave dhe nxënësve!” – ka theksuar Këshilli i Prindërve.
Po ashtu, Këshilli i Prindërve të Kosovës u ka kërkuar edhe këshillave komunalë të prindërve në Kosovë që të jenë vigjilentë gjatë kohës së fushatës zgjedhore, duke ruajtur pavarësinë dhe paanshmërinë e tyre dhe të denoncojnë te ta çdo rast potencial të përdorimit të nxënësve për qëllime elektorale.Fushata elektorale pritet të fillojë të shtunën, më 11.01.2025.
Në anën tjetër, mesazhi që iu dërgua nxënësve të Gjimnazit “Kuvendi i Arbërit” në Ferizaj, ka bërë bujë të madhe në gjithë qytetin.
Pretendohej se mesazhi u dërgua nga kryetarja e Këshillit të Nxënësve të Gjimnazit “Kuvendi i Arbërit”, e cila është nxënëse.
“Nesër me datë 09.01.2025 do të ketë një mbledhje në kafen X prej orës 18:30. është një lloj organizimi nga Lëvizja Vetëvendosje, ku do të jetë prezent edhe kryeministri i Kosovës. Do të ketë muzike dhe pije. Mundësisht dërgojeni këtë mesazh nëpër klasët e juaja dhe m’i dërgoni sot emrat e nxënësave të cilët do të jenë pjesëmarrës” – thuhet në mesazhin që pretendohet se u është dërguar nxënësve të Gjimnazit “Kuvendi i Arbërit”.
Zëvendësdrejtori i Gjimnazit, Adnan Hashani, ka thënë për KALLXO.com se kanë mbajtur një mbledhje me Këshillin e Nxënësve, në të cilin është deklaruar kryetarja e këtij Këshilli në lidhje me dërgimin e mesazhit.
Drejtori i Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani, tha se është informuar në mbrëmje të datës 08.01.2025 se nga kryetarja e Këshillit të Nxënësve të Gjimnazit “Kuvendi i Arbërit” u është dërguar mesazhi nxënësve.
Mëngjesin e të enjtes, më 09.01.2025, Llabjani tha se e ka takuar drejtorin e Gjimnazit “Kuvendi i Arbërit”, Bajram Rexhepi. Nga ky takim, Rexhepi ka thënë se ishte informuar për këtë rast.
“Kërkova nga drejtori [i Gjimnazit] që t’i thirrin kryetarët e këshillave të klasëve, secilës klasë, edhe kryetaren e Këshillit të Nxënësve, ta bisedojnë këtë çështje, pastaj duhet m’i shiqu edhe pjesët e tjera, aspektet e tjera ligjore, udhëzimet administrative se çka mund të bëjmë ne në këtë drejtim” – ka treguar Llabjani përmes telefonit për KALLXO.com.
Sipas Llabjanit, nxënësit nëse janë në proces mësimor gjatë kohës që mbahet mbledhja e LVV-së, nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në atë mbledhje.