Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e ka dënuar fuqishëm kërcënimin me vrasje ndaj gazetarit, Berat Buzhala.Asociacioni tha se është i alarmuar me kërcënimin me vrasje që është bërë ndaj gazetarit dhe themeluesit të gazetës online “Nacionale”.
Sipas AGK-së, Buzhala ka publikuar një mesazh që i ka ardhur në Facebook, nga një qytetar i cili ka shkruar: “Besen e Shqiptarit po ta jap se pat vra ty e do si ti se lo dije ditet e numrume i ki, jo vec pi meje po ke T’fala prej Popullit Kosovar”.“Ky është një kërcënim shumë serioz që vë në rrezik sigurinë e Buzhalës dhe medies ku punon, dhe AGK-ja e fton Policinë e Kosovës që ta shqyrtojë seriozisht dhe urgjentisht rastin e të mbajë përgjegjës personin në fjalë” – thuhet në këtë njoftim.
Tutje i tha se AGK-ja e sheh me shqetësim të madh përhapjen e vazhdueshme të gjuhës së urrejtjes dhe linçimit ndaj gazetarëve, që vjen më së shumti nga zyrtarë qeveritarë dhe të partisë në pushtet.AGK tha se e fton kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të ndalë gjuhën linçuese ndaj gazetarëve dhe medieve në Kosovë, dhe që të njëjtën ta bëjnë edhe zyrtarët e tjerë të partisë së tij.