Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se në këtë pikë SHBA-ja nuk është në gjendje të thotë se kush qëndron prapa sulmit të së premtes në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut.
Në konferencën për media të mbajtur pas takimit të ambasadorëve të QUINT-it me kryeministrin Albin Kurti, Hovenieri ka thënë se është shumë herët të flitet dhe se kjo çështje kërkon hetim të kujdesshëm.
“Në këtë pikë, Shtetet e Bashkuara nuk janë në gjendje të thonë se kush qëndron prapa sulmit. Është herët për një gjë të tillë dhe këto gjëra kërkojnë hetim të kujdesshëm. Ajo që mund të them është se institucionet e Kosovës kanë mbështetjen tonë. Gjithashtu nuk jam në gjendje të përjashtoj asnjë grup, shtet apo ndonjë gjë tjetër. Është shumë herët, nuk e dimë ende”, ka thënë ai.
Hovenieri ka shtuar se SHBA-ja ofron mbështetje në hetimin e këtij rasti dhe se këto veprime të dhunshme janë të pafalshme.
“Ne angazhohemi për përgjigjen emergjente nga autoritetet e Kosovës dhe ndihmojmë në zgjidhjen e asaj që mund të ishte situatë e tmerrshme. Qëndrojmë në solidaritet me Qeverinë e Kosovës”, ka shtuar ai.
Lidhur me sulmin terrorist në Varagë të Zubin-Potokut, janë arrestuar tetë persona të dyshuar për përfshirje.
Kryeministri Albin Kurti e ka akuzuar Beogradin zyrtar që qëndron pas këtij sulmi. Sipas Kurtit, nëpërmjet sulmit në Varagë të Zubin-Potokut, Serbia ka tentuar që t’i lë pa ujë, pa rrymë, pa ngrohje e pa komunikim qytetarët e Kosovës, duke shtuar se sulme të tilla si në kanalin ujor të Ibër Lepencit janë të ngjashme me sulmet ruse në Ukrainë.