Muzeu i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, tani e tutje, mund të eksplorohet nga vizitorët edhe në mënyrë virtuale, ka njoftuar organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe”.
Aty thuhet se në këtë mënyrë lehtësohet ndërveprimi me këtë kompleks kulturor-historik.
“Prezantimi në realitetin virtual 3D ka rëndësi të jashtëzakonshme ngase transformon mënyrën se si njerëzit përjetojnë dhe ndërveprojnë me këtë kompleks me vlera të veçanta kulturore-historike, të përbërë nga Sektori Historik, Sektori Etnografik dhe Galeria e Arteve”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.
Në të njëjtën kohë është theksuar se tani vizitorët nga vende të ndryshme, përmes linkut https://my.matterport.com/show?m=ARBSHVdiZEP mund të eksplorojnë muzeun, me ç’rast mënjanohen barrierat gjeografike dhe fizike.
“EC Ma Ndryshe konsideron se integrimi i realitetit virtual në 3D për muzetë nuk është vetëm një risi teknologjike, por edhe mjet për edukim, ndërgjegjësim, ruajtje dhe promovim të trashëgimisë. Për këtë arsye EC është duke vazhduar punën për zbatimin e kësaj praktike edhe në muzetë tjera të Prizrenit dhe të qyteteve tjera në Kosovë”, thuhet nw njoftim.
Kjo organizatë, të njëjtin prezantim e ka realizuar edhe për Muzeun Arkeologjik të Rajonit të Prizrenit, raporton Telegrafi.
Koncepti i shëtitjes virtuale në 3D në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit është realizuar në kuadër të projektit “Trashëgimia kulturore për të gjithë: Ruajtja, edukimi, zhvillimi dhe inovacioni”, që përkrahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.