Lëvizja Vetëvendosje gjatë ditës së djeshme ka pretenduar se si pasojë e qasje së re në blerje të barnave esenicale, kosotoja e tyre ka rënë drastikisht. Shembull kanë marrë një medikament të quajtur Bevacizumab, i cili sipas VV-së, në vitin 2019 e 2020 kishte çmimin mbi 1 mijë e euro, e tani çmimi ka rënë në 179 euro.
Ndaj këtij postimi ka reaguar farmacisti i cili vepron në Norvegji, Arton Baftiu. Ai ka thënë se po manipulohet dhe po dezinformohet për rënien e çmimit të barnave, në këtë rast duke përmendur medikamentin në fjalë, transmeton gazeta online Reporteri.net.
Ai thotë se Bevacizumab (Avastin) është një medikament që përdoret kundër disa llojeve të kancereve dhe se ky bar i regjistruar nga kompania Roche, e ka humbur patentën në vitin 2022.Andaj, ai thotë se që nga ajo kohë, kompani të tjera farmaceutike, që prodhojnë barna gjenerike, kanë të drejtë të sjellin në treg versionin gjenerik (në këtë rast biosimilar) të këtij medikamenti. Kjo, detyrimisht ul çmimin e barit në treg, njëkohësisht edhe në Kosovë.
“Zakonisht nuk preferoj të komentoj publikisht për manipulimet që vijnë nga politikanët tanë, por sot ndjej një obligim profesional, si farmacist, të kundërshtoj dezinforminin që vjen nga partia qeverisëse në lidhje me reduktimin e çmimeve të barnave.
Është turp se si Lëvizja Vetëvendosje, përmes këtij postimi, dezinformon qytetarët e Kosovës duke pretenduar se po ruajnë paranë publike dhe po ulin çmimet e medikamenteve. Jo, të nderuar.
Bevacizumab (Avastin) është një medikament që përdoret kundër disa llojeve të kancereve. Ky bar, i regjistruar nga kompania Roche, e ka humbur patentën në vitin 2022. Që nga ajo kohë, kompani të tjera farmaceutike, që prodhojnë barna gjenerike, kanë të drejtë të sjellin në treg versionin gjenerik (në këtë rast biosimilar) të këtij medikamenti. Kjo, detyrimisht ul çmimin e barit në treg, njëkosisht edhe në Kosovë. Pra, nuk është aspak rezultat i ndonjë kontributi të qeverisë, por një proces i zakonshëm që ndodh kudo në Evropë pas skadimit të patentës së një bari origjinal.
Sepse, po të ishte ndonjë kontribut i veçantë i qeverisë së Kosovës, nuk do ta kishin fshehur çmimin që është paguar në vitet 2021, 2022 dhe 2023!”, shkruan ai në reagimin e tij.