Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Dragashit njëzëri kanë miratuar Planin e Veprimit për Persona me Aftësi të Kufizuara për periudhën 2024-2028.
Me këtë rast është bërë e ditur se plani në fjalë bazohet në katër objektiva kryesore që synojnë krijimin e një mjedisi gjithëpërfshirës në Komunën e Dragashit, raporton Telegrafi.
Përmbajtja e Planit të Veprimit për Persona me Aftësi të Kufizuara 2024-2028, në mbledhjen e fundit të Kuvendit të Dragashit, është prezantuar nga koordinatori i grupit punues, Agon Baxhaku.
“Si shoqëri dhe si qeverisje lokale e kemi detyrim moral dhe ligjor që të sigurojmë mbështetje për PAK-të në bazë të konventave ndërkombëtare dhe legjislacionit në fuqi të Republikën së Kosovës”, ka thënë ai, duke shtuar se hartimi i planit është financuar nga UNICEF-i dhe se është zbatuar nga shoqata Down Syndrome Kosova.
Sipas tij objektivi i parë i Planit është përmirësimi i shërbimeve shëndetësore dhe sociale. “Plani përmban masa konkrete për të përmirësuar shërbimet shëndetësore dhe sociale për PAK, përfshirë krijimin e një regjistri të veçantë dhe evidentimin e nevojave specifike të tyre”.
Baxhaku ka theksuar se objektivi i dytë është përmirësimi i qasjes fizike në objektet publike.
“Një nga aspektet më thelbësore të këtij plani është përmirësimi i qasjes fizike në objekte publike. Ne synojmë të bëjmë të gjitha ndërtesat publike, përfshirë shkollat, spitalet dhe qendrat administrative, të qasshme për personat me aftësi të kufizuara. Kjo do të përfshijë instalimin e rampave, ashensorëve dhe përshtatjen e tualeteve dhe infrastrukturës tjetër”, ka deklaruar ai, raporton Telegrafi.
Tutje ka sqaruar se objekti i tretë është edukimi dhe përfshirja. “Një tjetër aspekt i rëndësishëm është përmirësimi i kushteve në institucionet edukativo-arsimore për përfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara. Kjo përfshin ndërtimin e kapaciteteve dhe krijimin e kushteve të barabarta për të gjithë”.
Ndërkaq objektivi i katërt i këtij plani sipas Baxhakut është punësimi dhe trajnimi profesional.
“Përfshirja e personave me aftësi të kufizuara në tregun e punës është një synim thelbësor i këtij plani. Ne do të punojmë për krijimin e mekanizmave financiarë dhe programeve të posaçme për aftësim dhe riaftësim profesional”, ka thënë ai, raporton Telegrafi.
Baxhaku teksa ka kërkuar mbështetjen e anëtarëve të pranishëm të Kuvendit të Komunës së Dragashit ka përsëritur qëndrimin se “ky plan përfaqëson një hap përpara drejt komunitetit gjithëpërfshirës dhe më të drejtë”.
Pas prezantimit të tij, nuk ka pasur diskutime, dhe propozim Plani është hedhur në votim, duke u miratuar njëzëri me votat e 24 kuvendarëve të pranishëm. /Telegrafi/