Banka Botërore ka vlerësuar se shumica e ekonomive të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor përjetuan rritje të moderuar ekonomike gjatë këtij viti, por paralajmëron se parashikimi për të ardhmen mbetet i pasigurt. Sipas raportit të fundit, me titull “Ruajtja e Ritmit të Rritjes”, Kosova ka pasur rritje ekonomike prej 3.8 për qind në vitin 2024.
Sipas raportit, në vitin 2025, Kosova parashihet të ketë rritje prej 3.9 për qind, ndërsa në vitin 2026 për 4 për qind.
Rritja ekonomike për këtë vit u nxit kryesisht nga konsumi dhe investimet e diasporës në ndërtime.
Kosova vazhdon të ketë numrin më të madh të të papunëve në rajon. Sipas Bankës Botërore, vetëm 37 për qind e popullsisë së aftë për punë janë të punësuar.
Sfidat kryesore për Kosovën, sipas raportit, mbesin reformat në sektorin e energjisë, furnizimit me ujë dhe përmirësimin e kapitalit njerëzor, si dhe lidhjet me tregjet e jashtme.
Në mesin e rreziqeve, Banka Botërore thekson trysninë për rritjen e shpenzimeve buxhetore në prag të zgjedhjeve, por edhe pasigurinë e vazhdueshme gjeopolitike, përfshirë në kontekstin e veçantë politik të Kosovës.
Në raportin e Bankës Botërore, bashkë me Kosovën, rritje më të madhe ekonomike në Ballkanin Perëndimor e pati Serbia po ashtu me 3.8 për qind.
Pas tyre vjen Mali i Zi me 3.4, Shqipëria me 3.3, Bosnja me 2.8 dhe Maqedonia e Veriut me 1.8.
Rritja e përgjithshme ekonomike në rajon parashikohet të arrijë në 3.7 për qind gjatë vitit 2025, sipas Bankës Botërore.
Banka Botërore e vlerësoi “Planin e Rritjes” së BE-së për Ballkanin Perëndimor si hap pozitiv që mund të mbështesë rritjen ekonomike të rajonit, por njëkohësisht paralajmëron që ekzistojnë rreziqe të vazhdueshme, siç janë “rritja e ngadaltë botërore, rritjet e çmimeve, pasiguria politike dhe dëmet nga moti ekstrem.” Raporti bën thirrje për reforma të tregut të punës, në veçanti për shtimin e përfshirjes së grave në të./KOHA/