Me moton “FBM24 is Read!ng”, të mërkurën, më 16.10.2024 ka nisur edicioni i 76-të i Panairit të Librit në Frankfurt të Gjermanisë.
Në këtë panair janë mbi 7.500 ekspozues me mbi 285.000 profesionistë të fushës së librit nga e gjithë bota. Kosova po prezantohet përmes Shoqatës së Botuesve të Kosovës (SHBK).
Botuesit nga Kosova janë vendosur në sallën 4.1, në stendën F96 të këtij panairi.
Shoqata e Botuesve të Kosovës (SHBK) ka bërë të ditur se në këtë panair po prezantohen botimet më të reja të botuesve kryesorë të Kosovës.
“Kosova është e pranishme në sallën 4.1 stenda F96, sallë e botuesve dhe shteteve ndërkombëtare si: Ukraina, shtetet skandinave, bota arabe, shtetet baltike, Belgjika, shtetet e Evropës Qendrore, Holanda, etj. Janë botimet më të reja të botuesve kryesorë të Kosovës, si: ‘Buzuku’, ‘Koha’, ‘Faik Konica’, ‘Pema’, ‘Artini’, ‘Skanderbeg Books’, ‘Albas’, ‘Meshari’, ‘Magjia e Librit’, ‘Noa’, e të tjerë, si dhe institucioneve si Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Instituti Albanologjik, Instituti i Historisë dhe Universiteti i Prishtinës”- thuhet në njoftimin e SHBK-së.
E ftuar nderi e këtij edicionit të Panarit të Librit në Frankfurt është Italia.
“Italia, si e ftuar nderi, paraqet dhe prezanton traditën e saj të gjallë letrare. Në ditët e para, panairi ka karakter profesional dhe vizitohet nga institucionet e librit mbarëbotërore për të komunikuar mbi industrinë e librit, ndryshimet dhe rëndësinë e ruajtjes së traditës thelbësore të dijes. Muaji tetor shquhet si muaji më i rëndësishëm për ngjarjet kulturore të fushës së librit me dy kryengjarjet: Çmimi ‘Nobel” dhe Panairi i Librit në Frankfurt”- thuhet në njoftimin e SHBK-së.