Shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila në konferencë për media ka folur edhe për audio-incizimin e publikuar ditën e djeshme ku ajo dëgjohet duke folur me terroristin serb Milan Radoiçiqi e ka mohuar një gjë të tillë duke thënë se është e montuar.
Shefja e deputetëve të VV-së tha se ajo ka bërë vetëm një bisedë me Radoçiqin dhe ajo është në gjuhën shqipe, dhe se me të s’ka folur për Pagën minimale.
“Vetëm një bisedë ka ndodhur me Radoiçiqin në gjuhën shqipe, dhe i qëndroj prapa asaj, ajo nuk është bisedë autoktone. Zëri im mund të këputet dhe të ngjitet me pytjet që ai i ka bërë pastaj. S’kam fol me Radoçiqin për Pagën minimale”, tha Kusari Lila.
Kusari-Lila shtoi se s’ka kërkuar asnjëherë votë për Ligjin për pagën minimale.
Ajo tha se ka shkuar në polici dhe se kërkon ekspertizë për këto materiale të publikuara.
“Po e mohoj që kam kërkuar votë për Ligjin për pagën minimale. S’ka ndodhë një bisedë e tillë. E vetmja bisedë ka qenë pse e keni votu në lexim të parë Ligjin për pagën minimale. Është e prerë copa copa, dhe për këtë kam shku në polici dhe kërkoj ekspertizë dhe super ekspertizë profesionale për atë material që u publiku dhe të gjitha materialet tjera që janë publiku që munden me pretendu diçka të tillë”, tha shefja e deputetëve të VV-së.