Zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) kanë kritikuar ashpër ministrin e Financave, Hekuran Murati, pas deklaratës së tij për rënie të çmimeve dhe rritje ekonomike në tremujorin e fundit në Kosovë.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka demantuar deklaratat e ministrit Murati, duke thënë se fuqia blerëse e qytetarëve është në gjendjen më të dobët të saj.
Sipas Bajramit, qytetarët janë të vetëdijshëm për çmimet dhe fuqinë e pavlefshme të pagave të tyre, që, sipas saj, nuk kanë qenë kurrë më e ulët.
“Pas demaskimit të propagandës për rritjen ekonomike për 2021-2023, krejt çka ju ka mbetë me folë është 3 mujori i parë, 3 mujori i dytë. Qytetarët i dinë çmimet dhe e dinë saktë fuqinë blerëse të pagave të tyre, që kurrë ma të pavlera s’kanë qënë”, ka shkruar Bajrami.
Ndërkohë, anëtari i Kryesisë së LDK-së, Berat Rukiqi, ka theksuar se qeveria nuk ka marrë asnjë masë për të lehtësuar krizën ekonomike të qytetarëve, ndërsa shumë produkte ushqimore janë shtrenjtuar ndjeshëm.
Rukiqi përmendi se çmimi i bukës është rritur për 50%, ai i qumështit për 38%, dhe se mesatarisht produktet ushqimore kanë pasur një rritje prej mbi 50%.
Ai gjithashtu akuzoi qeverinë për mungesë investimesh të rëndësishme dhe për keqmenaxhimin e projekteve të realizuara, duke përmendur rastin e fundit të urës në rrugën e Gjilanit.
“Dalin dhe krenohen me rritje ekonomike prej 0,3% mbi projeksionet, kur në realitet është rënie e qëndrueshme,” ka shkruar Rukiqi./Telegrafi/