Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të pres në takim nesër, e mërkurë, të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në orën 10:00, ka njoftuar Presidenca e Kosovës.
Pas takimit të përbashkët, Osmani bashkë me Escobarin pritet t’i adresohen mediave në një konferencë.
“Në orën 10:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim përfaqësuesin e posaçëm për Ballkanin Perëndimor të Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar. Mediat fillimisht do të marrin pamje nga takimi, ndërkaq pas takimit do te ketë deklaratë për media”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Krahas takimeve me krerët e shtetit të Kosovës, që Departamenti i Shtetit i ka paralajmëruar në njoftimin e lëshuar dje, emisari amerikan takim do të zhvillojë edhe me krerët e opozitës.
Escobar, e ka quajtur “katastrofik” dhe “jokompetent” vendimin e autoriteteve të Kosovës për të zbatuar rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) që e përcakton euron si valutën e vetme për kryerje të pagesave me para të gatshme.
Kështu është pamundësuar përdorimi i dinarit serb në komunat me shumicë serbe në Kosovë.
Escobar i ka përmendur disa arsye pse SHBA-ja nuk pajtohet me mënyrën e zbatimit të rregullores së BQK-së: shpejtësia me të cilën është zbatuar, mungesa e ofrimit të ndonjë alternative për të pranuar paratë, nuk janë kontaktuar komunitetet e prekura prej vendimit, komuniteti ndërkombëtar ka pasur vështirësi që ta bindë Kosovën që të ofrojë ndihmë teknike.
“Qeveria e Kosovës duhet të punojë me komunitetin ndërkombëtar për të gjetur zgjidhje për këtë vendim, që do ta quaja katastrofik dhe madje jokompetent, të zbatimit të vendimit që ka krijuar kaos në ekonominë e Kosovës”./Reporteri.net/.