Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përkatësisht Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në bashkëpunim me Shoqatën e Përpunuesve të Drurit në Kosovë (SHPDK), ka siguruar hapësirën ekspozuese në panairin “Swissbau 2024” në Zvicër.
Në hapje të panairit do të marrin pjesë edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Sipas njoftimit të MINT-it pjesëmarrja e kryeministrit Kurti dhe ministres Hajdari, në hapjen e këtij panairi, thekson përkushtimin e Qeverisë për përkrahjen dhe promovimin e sektorit privat të biznesit në vend, si dhe hapjen e mundësive të reja në tregjet ndërkombëtare.
“Ky panair ofron një platformë të shkëlqyeshme për promovimin e produkteve të përpunimit të drurit nga kompanitë kosovare, ndërkohë që u jep atyre mundësinë të njihen me trendet e industrisë ndërkombëtare dhe të zhvillojnë marrëveshje bashkëpunimi me kompani të jashtme, duke synuar rritjen e eksportit”, thuhet në njoftim.
Prodhimet e dymbëdhjetë kompanive nga Kosova që merren me përpunimin e drurit, nga data 16 deri 19 janar 2024 do të promovohen në panairin “Swissbau 2024” dhe do të jenë të ekspozuara në Hall 1.1, Booth no.A60, B60 dhe A90, Basel, Zvicër.