Kuvendi i Kosovës ka shkarkuar Bordin e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.
62 deputetë votuan pro shkarkimit, asnjë kundër dhe dy abstenime.
“Konstatoj se kuvendi ka shkarkuar kryesuese Selvete Grajqevci Pllana, 63 morën pjesë, 60 për, 3 abstenuan. Kuvendi shkarkon Gani Kastratin si anëtar te bordit me 64 vota, 60 për, 4 abstenuan. Kuvendi e shkarkoi Gani Maliqin me 64 në votim, 61 për, 3 abstenime. Kuvendi shkarkoi Rrezarta Pushkolli – Makolli”, ka thënë kryeparlamentari Glauk Konjufca.
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka thënë se bordi ishte zgjedhur jashtëligjshëm.
“Ky bord është zgjedhur me ndërhyrje të jashtëligjshme nga pushteti dhe sot po shkarkohen nga ky pushtet. Si rezultat i kësaj tash e një vit ky rregullator është jashtë funksionit dhe pa vendimmarrje. 255 lëndë presin për me marr përgjigje sepse prapë politikisht ata po shkarkohen sepse si duket nuk janë treguar mjaft të dëgjueshëm. Ne nuk do të marrim pjesë në shkarkim”.
Ndërsa ka folur për gjendjen e minatorëve, ai ka kërkuar që deputetët t’i vizitojnë minatorët që kanë hyrë në grevë qe tri ditë.
“Sot punëtorëve nuk ju paguhet as trusti. Sot mjetet e marra nga Qeveria në emër te subvencionit nuk i mbulojnë as pagat. Mashtrimi vazhdon për minatorët. Trepça është shoqëri aksionare. Resurset e Trepçës janë kategori kushtetuese dhe unë ju bëj ftesë të gjithëve të bashkohemi dhe ta nxjerrim nga kjo situatë. Nëse dëshirojmë zhvillim, industri… sot është koha e fundit që Trepça të fillojë të ndryshojë, nëse Qeveria reflekton ndaj sektorit. Trepçës i duhet menaxhment apolitik. Për të filluar ky proces duhet të plotësohen kërkesat e minatorëve. Ne si grup parlamentar jemi të gatshëm që të bashkohemi për Trepçën dhe ju ftoj që sot të formohet një grup i deputetëve e t’i vizitojmë minatorët në grevë, t’ua plotësojmë kërkesat. Në të kundërtën jam i bindur se ne do të ballafaqohemi në kontinuitet. S’ka asnjë pikë më të rëndësishme sesa shëndeti i minatorëve atje. Ne nuk do te marrim pjese në asnjë votim për shkarkimin e bordit qe ju e keni zgjedh”, ka theksuar Shala.
Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku, ka theksuar se shkarkimi i bordit është i jashtëligjshëm.
“Shkarkimi i këtij bordi është i jashtëligjshëm dhe po bëhet vetëm pse nuk ju kanë dëgjuar. Janë njerëz me kredibilitet. Kjo është Qeveria e juaj që vetë emëroni e vetë shkarkoni. U bëtë hor me borde. Ata që nuk po ju dëgjojnë po i shkarkoni. LDK nuk do të marr pjesë. Ju e keni në favor numrat dhe atë po e shfrytëzoni”.
E, deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se veprimin për shkarkim e sheh si hakmarrje të pushtetit.
“Është po ky bord që ka pasur një lëvdatë publike për këta persona që sot janë para kuvendit për shkarkim. Pyetja për kolegët në LVV është çka ka ndryshu? Pushteti, kjo Qeveri ka ardhur me një premtim te madh që do të depolitizojë, dhe sot vijnë me një kërkesë për shkarkim me arsyen e vetme që nuk kanë arritur me i përmbush kërkesat e juaja. Dilni të tregoni që nuk kanë qenë të përshtatshëm për Qeverinë dhe jo t’i vëni etiketë. Ne këtë vendim e kemi kundërshtuar edhe në komision dhe e kundërshtojmë edhe këtu. E shoh këtë veprim si hakmarrje. Sot derisa ne po flasim është duke vazhduar një grevë e cila nuk ka asnjë trajtim serioz nga Ministria përkatëse, Qeveria e edhe ne si Kuvend. Po flasim për një ndërmarrje që ndoshta është burimi kryesor për mbijetesë i asaj pjese”, ka deklaruar Tahiri.