Kohëve të fundit, në shumë qytete shihen ndërtime të shpeshta e të shumta të moteleve. Të njëjtat, kryesisht përdoren për pushime të shkurtra (nga vendorët), e jo për mysafirë të jashtëm që vijnë për të qëndruar e vizituar Kosovën. Shpesh herë, janë nën emërtimin “Vila…”.
Ndërtuesit, apo pronarët e tyre, nuk po zgjedhin vende se ku po i ndërtojnë ato. Në shumë raste, objekte të tilla janë fare pranë shtëpive të banimit në zona rurale e urbane. Kjo, domosdo është shqetësuese për banorët e atyre shtëpive fare pranë.
Për këtë, në Sytë 7 në Klan Kosova, Baki Hoti, udhëheqës në Unionin e Turizmit në Kosovë, tha se është duke u punuar në një Udhëzim Administrativ që rregullon operimin e hoteleve e moteleve.
Hoti tha se edhe si union e kanë një anëtarë në grupin punues, për çka do t’i shtyjnë tutje disa kritere për këto motele.
I pyetur nga gazetari Enis Reçica, se “A do të ketë ndërtime të moteleve të tilla afër objekteve të banimit?”. Hoti, në Sytë 7 u shpreh se “absolutisht jo”. Ai shtoi në Sytë 7 në Klan Kosova, se përmes këtij Udhëzimi Administrativ do të rregullohen kriteret se ku mund të ndërtohen ato, si në qytete si në fshatra, me qfarë kritere dhe kushte, njofton Klankosova.tv.