Njësia për Ndërhyrjen e Shpejtë e Policisë Kufitare të Kosovës ka zbuluar dhe parandaluar dy raste të kalimit të paligjshëm të kufirit shtetëror dhe kontrabandës me mallra.
Në rastin e parë, një automjet tip Golf i bardhë, i cili ishte shënjësuar si taksi, u ndalua në fshatin Koshuticë të komunës së Leposaviqit. Automjeti dyshohej se kishte kryer kalim të paligjshëm të kufirit nga Serbia në territorin e Kosovës. Gjatë kontrollit të automjetit, u gjetën katër pako me mish derri dhe dele në bagazhin nën ulëset e pasme dhe nën ulësen e pasagjerit. Lidhur me rastin është kontaktuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që në procedurë të rregullt të iniciohet rasti për “Kontrabandë me mallra” dhe “Kalim i paautorizuar i vendkalimeve kufitare apo i vijës kufitare”. Automjeti dhe malli u konfiskuan dhe u dërguan në terminalin doganor për procedura të mëtejshme ligjore, njofton Policia e Kosovës.
Në rastin e dytë, një automjet tip Mercedes i ngjyrës hiri u ndalua në të njëjtën zonë. Shoferi i automjetit dyshohej se kishte shfrytëzuar një rrugë të paautorizuar për kalim kufitar nga Serbia në Kosovë. Gjatë kontrollit të automjetit, u gjetën 150 pako me çokollata Snickers në bagazh dhe në ulëset e pasme të automjetit. Edhe ky rasti u raportua te Prokurori i Shtetit, dhe u nisën hetime për “Kontrabandë me mallra” dhe “Kalim i paautorizuar i vendkalimeve kufitare apo i vijës kufitare”. Automjeti dhe malli u sekuestruan dhe u dërguan në terminalin doganor për procese ligjore të mëtejshme.
“Njësia për Ndërhyrjen e Shpejtë e Policisë Kufitare të Kosovës është duke treguar çdo ditë se është e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e kontrabandës dhe veprave tjera penale ndërkufitare dhe për një menaxhim sa më efikas dhe efektiv të kufirit shtetëror”, thuhet në njoftimin e Policisë. /RTKlive/