Përmes një njoftimit të publikuar në faqen e saj, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, bën të ditur se, shkolla e vjetër e fshatit në Mushnikovë, si pjesë e listës së aseteve të Trashëgimisë Kulturore është vënë në mbrojtje të përkohshme.
“Mushnikova shtrihet në një luginë në krahinën e Sredskës nën malin e Sharrit, rreth 11 km në juglindje të Prizrenit. Bën pjesë në tipin e fshatrave të dendur me shumë ndërtime, ndër të cilat është edhe shkolla e vjetër e këtij fshati, e cila është ndërtuar që nga viti 1905. Kjo godinë shkollore shtrihet në pjesën perëndimore të fshatit, në një parcelë jo të rregullt.
Gjatë këtij viti me propozim të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, kjo ndërtesë ka marr statusin e monumentit në mbrojtje, duke u bërë pjesë e regjistrit të aseteve të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përkohshme.
Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren Samir Hoxha, arsyeton propozimin e këtij institucioni për futjen e kësaj ndërtese në mbrojtje, bazuar në faktin se kjo ndërtesë që prej kohës së ndërtimit ka shërbyer si shkollë fillore për edukim të banorëve të fshatit Mushnikovë dhe fshatrave tjera për rreth”. Ndër të tjera që nga viti 1972 ka shërbyer për mësimin në gjuhën shqipe për banorët e kësaj treve deri në vitin 1992, ku pushteti i atëhershëm, dëboj mësimdhënësit dhe nxënësit shqiptar të cilët ndjeknin mësimet në gjuhën shqipe, thekson drejtori i këtij institucioni.
Në këtë ndërtesë janë ruajtur elementet e vjetra të inventarit, sikurse bankat e vjetra shkollore, dollapët, karriget, mjetet mësimore dhe dokumentet të vjetra. Ndërkaq, pas përfundimit të luftës së fundit kjo ndërtesë është braktisur tërësisht edhe përkundër faktit që kjo shkollë ngërthen në vete historinë e themelimit të edukimit primar në një zonë rurale që nga vitet e para të shek. XX.
Kurse në aspektin artistik, ndërtesa e shkollës paraqet një shembull unik të ndërtesave publike edukative të ndërtuara në fillim të shek. XX, ku ndërthuren teknika tradicionale të ndërtimit me trajtimet stilistike të ndikuara nga Evropa, thuhet në fund të këtij njoftimi nga QRTK e Prizrenit.